Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy ilaçet Quinapril dhe Hydrochlorothiazide janë tërhequr nga tregu për shkak se përmbajnë nitrosaminë.
Kjo tërheqje ka ndodhur për arsye se është konstatuar që kjo substancë rrit rrezikun për kancer në rast të ekspozimit në periudha të gjata kohore dhe nivele më të larta.
Klankosova.tv ka kontaktuar me Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në Kosovë, nga të cilët ka marrë përgjigje se këto dy ilaçe nuk gjenden në Kosovë.
“Produktet dhe seritë e e tyre që janë tërhequr nga tregu në SHBA nuk janë të regjistruara në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e AKPPM-së
“AKPPM-ja është në dijeni dhe përcjell me vëmendje situatën, duke ndjekur edhe rekomandimet e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”.
“Për çdo informacion të ri do të njoftohen edhe profesionistët shëndetësorë, pacientët dhe mediat”.