Ngrohtorja e qytetit, Termokos ka hapur një grup në rrjetin social Viber, ku po i informon konsumatorët me të rejat rreth ngrohjes.
Një njoftim të tillë e ka nisur të martën. Ajo që bie në sy në grupin me mbi 3 mijë anëtarë është se Termokos u ka bërë thirrje konsumatorëve se në rast se kanë ankesa për ngacmim seksual nga punëtorët e saj gjatë kohës së intervenimeve t`i drejtohen kësaj ndërmarrje në emailin: [email protected].
Front Online ka pyetur Zyrën për Medie në Termokos nëse është shënuar ndonjë rast i tillë deri tasht.
Nga kjo zyrë kanë mohuar diçka të tillë.
“Ne mund t’ua konfirmojmë se deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë të kësaj natyre”, u shprehen nga Termokos.
Tutje shpjeguan edhe qëllimin e emailit për ankesa lidhur me ngacmimet e mundshme seksuale.
“Më saktësisht, konzorciumi i kompanive punëkryese të “Prishtina Heat Save”, që realizojnë instalimet e pajisjeve tek konsumatorët tanë, me qëllim të rritjes së transparencës dhe bashkëpunimit me konsumatorët tanë, është i obliguar, që të ketë një email adresë aktive, ku mund të adresohen edhe ankesat për rastet eventuale të ngacmimeve seksuale”.
Rastet e ngacmimeve seksuale janë shtuar në Kosovë, muajve të fundit.
Si rezultat, Ministria e Drejtësisë nuk ka qëndruar duarkryq.
Ajo ka paraparë ndryshime në Kodin Penal.
Përmes një postimi në Facebook, udhëheqësja e këtij dikasteri Albulena Haxhiu ka thënë se do të ketë dënimet plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtorë për dhunim seksual dhe dhunë në familje do të jenë, ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror, ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet, marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive, ndalimi i blerjes në ankande publike dhe shërbime të tjera dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje të tjera nga legjislacioni.
Po ashtu, Haxhiu ka thënë se për këto vepra do të shkurtohen afatet e gjykimit, ashtu që të njëjtat nuk do të zgjasin më shumë se një vit.