Pak ditë nga mbyllja e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Serbisë, presidenti Bajram Begaj, priti një delgacion të Komunës së Preshevës.
Presidenti Begaj vlerësoi seriozitetin dhe pjekurinë me të cilën shqiptarët dhe partitë politike shqiptare të Komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës treguan këtë herë për procesin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.
Duke vlerësuar frymën e bashkëpunimit të demonstruar nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, Presidenti Begaj, theksoi se ky bashkëpunim solli një regjistrim më të saktë e më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Serbisë. “Kjo i shërben statusit të shqiptarë në këto komuna dhe i faktorizon ata edhe më shumë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre në Serbi, të cilat duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Pas vlerësimit të klimës së re pozitive e të bashkëpunimit rajonal në tërësi, si dhe të vëmendjes së shtuar të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit, e siguroi delegacionin e Komunës së Preshevës se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të gjenin gjithmonë tek ai dhe institucionet shqiptare një mbështetës të fortë e të vendosur për realizimin e plotë të të drejtave të tyre