Më 8 nëntor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbahen ato që njihen si zgjedhjet e mesit të mandatit. Këto zgjedhje mbahen çdo dy vjet. Të drejtë vote kanë amerikanët mbi moshën 18-vjeçare.
Qytetarët amerikanë kanë mundur të votojnë edhe para kësaj date, sipas procesit të njohur si votim i hershëm, që mund të bëhet duke shkuar fizikisht në qendra të caktuara të votimit ose përmes postës.
Kush po zgjidhet?
Kongresi i Shteteve të Bashkuara përbëhet nga dhoma e lartë – Senati – dhe dhoma e ulët – Dhoma e Përfaqësuesve.
Ligjvënësit e zgjedhur në Senat quhen senatorë dhe kanë mandat gjashtëvjeçar. Zgjedhje federale ka për çdo dy vjet. Ulëset janë të ndara në tri kategori dhe rreth një e treta e tyre është në zgjedhje çdo dy vjet.
Sidoqoftë, ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve zgjidhen çdo dy vjet. Kjo u mundëson votuesve kontroll më të drejtpërdrejtë dhe më të shpeshtë të drejtimit të pushtetit, shkruan televizioni CNN.
Në këto zgjedhje do të zgjidhen edhe disa guvernatorë të shteteve të ShBA-së. Shtetet kanë rreglla të ndryshme për zgjedhjen e guvernatorëve. 48 nga 50 shtetet e ShBA-së i zgjedhin guvernatorët me mandat 4-vjeçar. Dy shtete, Neë Hampshire dhe Vermont, i zgjedhin guvernatorët me mandat 2-vjeçar. Shumica e shteteve, 36 prej 50 sosh, i zgjedhin guvernatorët gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit të qeverisë qendrore.