Live

Greqia pro një kompromisi politik mes Kosovës e Serbisë

18:27 / 08 Nëntor 2022

Nga admin

Greqia mbështet arritjen e një kompromisi politik në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu është shprehur ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në Athinë.

Tutje, kryediplomati grek tha se për të bërë përparim, “çdo vendim i njëanshëm duhet të bëhet brenda kornizës së dakorduar të dialogut”.

“Dhe lëvizjet që mund të rrezikojnë ekuilibrin shumë të brishtë që është arritur duhet të shmangen. Edhe ne po i ndjekim me shumë kujdes zhvillimet e fundit dhe i kemi diskutuar zhvillimet e fundit në mënyrë dypalëshe”, u shpreh Dendias pas takimit me Daçiqin.

Ndërkaq, në konferencën e përbashkët për media të dy ministrave u fol edhe për çështjen mes Greqisë dhe Turqisë, për çka Dendias tha se “është e sigurt që nuk është Greqia ajo që dëshiron apo kultivon tensionin, nuk është Greqia ajo që dëshiron apo kultivon përshkallëzim”.

“Greqia është gjithmonë pro një dialogu konstruktiv për arsye parimore, por gjithmonë mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe në këtë rast, që ka rëndësi të veçantë, të Ligjit Ndërkombëtar të Detit”.

“Me një parim bazë: respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve. Dhe unë e di se janë pikërisht këto parime që ndan Serbia. Dhe dua t’ju falënderoj për gjuhën shumë të qartë që keni përdorur në intervistën tuaj sot me KATHIMERINI dhe mbështetjen e fortë për integritetin territorial të Greqisë dhe Qipros në det, në ajër, në tokë”, theksoi kryediplomati grek.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë serbe theksoi se “Beogradi qëndron për dialog, për zgjidhje politike të problemit, por jo për dialog që nuk është rezultat i marrëveshjes”.

“Çdo njohje e Kosovës apo pranim në organizatat ndërkombëtare është shkelje e integritetit territorial të Serbisë dhe rrjedhimisht e së drejtës ndërkombëtare”, tha Daçiqi dhe deklaroi se u ka përcjellë zyrtarëve grekë me të cilët ka biseduar sot se “Serbia i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit dhe dëshiron që ajo të çojë në zgjidhje politike, por nuk pranon që zgjidhja tashmë është bërë”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...