Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua dorëzoi çmimet kapitenit Nenad Gjuriq, drejtorit të suspenduar të Policisë në Mitrovicën Veriore dhe kapitenit Aleksandar Filipoviq, i cili ishte në detyrë si shef i Drejtorisë Rajonale të Policisë në këtë komunë, shkruan n1info.
Vuçiq i dorëzoi Gjuriqit Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri të Klasit të Parë, i cili jepet për kryerje mbi mesataren, shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kapiten Filipoviqit iu nda medalja e artë për guxim “Miloš Obiliq”, e cila ndahet për veprimet në të cilat del në pah guximi personal.
“Ju iu bindët vendit tuaj, madje edhe kur nuk jeni pajtuar me vendimet e tij, keni bërë atë që ju ka dashur zemra dhe jeni sjellë me nder, kur ju penguan të kryeni detyrën”, tha Vuçiq në Presidencën e Serbisë.
I pari i shtetit serb bëri të ditur se Gjuriq dhe Filipoviq do të punësohen në administratën shtetërore.
Ata i pret një e ardhme e shkëlqyer, do të punojnë në organet shtetërore të Republikës së Serbisë. Na mbetet të arrijmë marrëveshje dhe sigurisht që nuk do të ketë të ardhura të ulëta. Të dy janë të rinj, ka ende shumë punë dhe detyra të rëndësishme përpara tyre”, tha Vuçiq.