Veturat BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë bërë përsëri për servisim. Për rregullimin e tyre dhe 11 automjeteve të tjera do të shpenzohen 50 mijë euro. Gjatë muajit qershor, Demokracia.com kishte raportuar se disa vetura BMW të këtij institucioni ishin dërguar në Maqedoninë e Veriut, edhe pse BMW-ja kishte servis të autorizuar në Kosovë.
Kanë kaluar vetëm pesë muaj që kur disa vetura BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë servisuar.
Mirëpo, këto vetura përsëri janë bërë për mjeshtër. Por, tash duket se rregullimin e tyre do të bëjnë mjeshtrit nga Kosova, jo ata nga Maqedonia e Veriut, që ishin marrë me këto vetura në muajin qershor.
Asokohe për dërgimin e këtyre veturave në shtetin fqinj kishte raportuar Demokracia.com, ku edhe kishte sjell si dëshmi foto nga servisimi i tyre në Shkup.
Tash tenderin “Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të MPJD-së” e ka bërë publik dy ditë më parë ky institucion, duke i ftuar kompanitë të aplikojnë deri në fund të këtij muaji.
Ky tender është ndarë në dy loto, ku për njërin është paraparë të shpenzohen 40 mijë euro dhe për tjetrin 10 mijë euro.
“Vlera e parashikuar e kontratës: 50,000.00. Lot 1, 11 automjeteve të 3 tipeve-llojeve. Lot 2, 3 automjete të tipit BMW. Tenderuesi mund të paraqesë tender për një apo të gjitha pjesët (lotet). Secila pjesë e lot-it është e shënuar në specifikacionet teknike. Numri maksimal i pjesëve (loteve) që do të mund të shpërblehet tek një tenderues është: 2 (dy) LOT 1: 40,000.00 €. LOT 2: 10,000.00 €”, thuhet në njoftimin e shpallur në e-prokurim, përcjell Demokracia.com.
Ministria ka treguar se tenderuesi duhet të depozitojë sigurimin e tenderit, i cili është ndarë në disa vlera monetare.
“Vlera e sigurisë së tenderit: Lot-1 : 1,500.00 €, me vlefshmëri prej 90 ditë. Lot-2: 1,000.00 €, me vlefshmëri prej 90 ditë. Në rast të dhënies së kontratës juve, ju duhet të postoni, para nënshkrimit të kontratës, sigurinë e ekzekutimit. Shuma e Sigurisë së Ekzekutimit është: Lot-1: 4,000.00 €, me vlefshmëri prej 37 muaj. Lot-2: 1,000.00 €, me vlefshmëri prej 37 muaj”, tregohet në këtë sqarim të dhënë.
Por, ky institucion që drejtohet nga Donika Gërvalla, ka kërkuar që përveç kontrolleve normale të veturave, të bëhen edhe disa ndërhyrje speciale, si errësimi i xhamave, ngjyrosja e veturave dhe polirim komplet.
“Kontrolla detale e automjetit përfshin kontrollin e përgjithshëm të automjetit dhe identifikimi i defekteve: Sponat, frenat para-prapa, diferncialave dhe trapave para prapa, dritat instalimi i rrymës. Sistemin e alarmit dhe dritave rotative. Servisimet e rregullta sipas planit të servisimeve të rregullta për çdo 10.000 km të kaluar. Ngjyrosja komplet i automjetit. Polirimi komplet i automjetit. Errësimi i dritareve. Riparimi i haubes. Ngjyrosja e haubes. Riparimi i krahut të parë, etj”.
Në dosjen e tenderit është treguar se qëllimi i kontratës është që të përcaktohen kushtet që rregullojnë kryerjen e shërbimeve të lartcekura.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paraqitur edhe kushtet për kompaninë fituese, duke thënë se kompania nuk duhet të jetë më larg se 15 kilometra.
“Hapësira e objektit-ve (serviseve) duhet të jetë minimum 200 m2. Kjo hapësirë duhet të jetë e mbyllur dhe e mbrojtur nga ndikimet e faktorëve të jashtëm, siç janë reshjet, era, pluhuri, etj. Kjo hapësirë e objekteve-servisi, duhet të jenë larg maksimumi 15 kilometra, nga ndërtesa qendrore e MPJD-së, Rr. Luan Haradinaj pn, Prishtinë”.
Operatorët ekonomikë pjesëmarrës duhen të posedojnë autorizim nga prodhuesi ose të jenë distributorë të autorizuar për servisim-furnizim me pjesë për BMW.
“Operatorët ekonomikë pjesëmarrës duhet të kenë kontrata për servisimin e automjeteve, shuma e të cilave duhet të jenë minimum për LOT-1 60,000.00 € dhe për LOT-2 15,000.00 €, të realizuar në tri vitet e shkuara para datës së publikimit të këtij njoftimi për kontratë. Në rast se operatori ekonomik dorëzon tender për 2 (dy) lote, atëherë duhet ta përmbush shumën e të dy loteve për të cilat oferton”, thuhet në dosje, përcjell Demokracia.com.
Po ashtu, ministria ka treguar se afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve është data 29.11.2022.
Blerja e këtyre veturave BMW nga MPJ në kohën e ish-ministrit Behgjet Pacolli kishte prodhuar reagime të shumta publike vite më parë. Ndërsa, ish-ministri Glauk Konjufca, tani kryeparlamentar, kishte paralajmëruar se do ta hetonte procesin e blerjes së tyre.