Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, e ka konsideruar shqetësuese gjendjen aktuale politike në vend. Në një intervistë për Gazetën Insajderi, ajo e quajti të mangët Qeverisjen Kurti II, sidomos në sektorin e ekonomisë, të energjetikës dhe atë të shëndetësisë.
Mjekiqi tha se kanë munguar investimet huaja dhe ato kapitale nga partia në pushtet.
“Pritëm të shohim pesë të arriturat e secilës prej ministrive – siç u kërkua nga vetë Kryeministri Kurti para disa javësh por, nuk i kemi parë ato ende”, tha ajo.
Zyrtarja e LDK’së deklaroi se vettingu në drejtësi është shumë i nevojshëm.
“Reformat në drejtësi si edhe në sektorë tjerë janë shumë të nevojshme. Për të quar më tej procesin e vetingut duhet qasje gjithëpërfshirëse si dhe që ky proces të burojë nga Kuvendi”, u shpreh Mjekiqi.
Tutje, Mjekiqi paralajmëroi dimër të vështirë. Ajo tha se subvencionet e deri tashme të Qeverisë së Kosovës janë të pamjaftueshme.
“Më e keqja, (mos)veprimet e qeverisë deri tani nuk i kanë hapur rrugë planeve sado afatgjate për furnizim me energji nga burimet alternative”, u shpreh Mjekiqi.
Intervista e plotë me nënkryetaren e LDK-së, Shqipe Mjekiqi:
Si i komentoni zhvillimet politike në Kosovë?
Shqipe Mjekiqi: Situata e krijuar kohëve të fundit është shqetësuese. Si Lidhje Demokratike e Kosovës kemi kërkuar nga Qeveria që të koordinojë veprimet e saj me faktorin ndërkombëtar (SHBA dhe BE) jo vetëm sa i përket çështjes së targave por, edhe çdo gjëje tjetër që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ajo çfarë kemi parë nga reagimet edhe të njërës edhe tjetrës palë (SHBA dhe BE) është që nuk ka pasur koordinim.
Është në interes të Kosovës që të ecet tutje drejt arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, pra të tejkalohet status-quo-ja, në mënyrë që Kosova të mund të vazhdojë me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe t’i hapet rruge integrimit të të dyja vendeve në BE.
Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti?
Shqipe Mjekiqi: Pritëm të shohim pesë të arriturat e secilës prej ministrive – siç u kërkua nga vetë Kryeministri Kurti para disa javësh por, nuk i kemi parë ato ende.
Ka mangësi të shumta në qeverisje e ato kanë të bëjnë kryesisht me sektoret më të rëndësishme: atë të ekonomisë, energjetikës si dhe shëndetësisë. Ka dy muaj që nuk kemi Ministër të Shëndetësisë. E dijmë gjendjen e vështirë në këtë sektor. Sistemit shëndetësor nuk i është dhënë prioritet, fatkeqësisht.
Në sektorin e energjetikës – na pret një dimër i vështirë. Me rritjen e çmimeve në përgjithësi, si dhe ato të energjisë, jeta e qytetarëve do të rëndohet edhe më shumë gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Cili është Plani i Qeverisë për të ndihmuar qytetarët të përballojnë këtë përiudhë? Subvencionet e para pak kohësh nuk janë të mjaftueshme. Nuk janë as edhe rekomandimet e saj psh. të izolohen shtëpitë. Më e keqja, (mos)veprimet e qeverisë deri tani nuk i kanë hapur rrugë planeve sado afatgjate për furnizim me energji nga burimet alternative.
Sektori i ekonomisë është po aq keq. Rritja ekonomike është më e vogël sesa në disa vjetët paraprakë, nuk ka investime kapitale, nuk ka rritje të investimeve të huaja. Kosova ka nevojë për gjenerimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat por, Qeveria nuk i ka krijuar kushtet për këto.
A mendoni se Qeveria Kurti është duke e menaxhuar si duhet krizën energjetike në vend?
Shqipe Mjekiqi: Në sektorin e energjetikës – na pret një dimër i vështirë. Me rritjen e çmimeve në përgjithësi, si dhe ato të energjisë, jeta e qytetarëve do të rëndohet edhe më shumë gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Cili është Plani i Qeverisë për të ndihmuar qytetarët të përballojnë këtë përiudhë? Subvencionet e para pak kohësh nuk janë të mjaftueshme. Nuk janë as edhe rekomandimet e saj psh. të izolohen shtëpitë. Më e keqja, (mos)veprimet e qeverisë deri tani nuk I kanë hapur rrugë planeve sado afatgjate për furnizim me energji nga burimet alternative.
Kosova po ashtu është duke u përballuar edhe me rritjen e çmimeve. Sipas jush si është menaxhuar kjo situatë nga qeveria?
Shqipe Mjekiqi: Rritja e çmimeve, pavarësisht që është shkaktuar nga jashtë, ka implikime shumë të mëdha për vendin tonë si një prej vendeve më të varfëra të Evropës. Qeveria ka bërë fare pak në këtë drejtim. Si LDK patëm propozuar reduktimin e akcizes në naftë dhe TVSH-së në naftë dhe produkte bazë, që nuk janë bërë. Përballueshmëria e vendit me krizën varet shumë nga menaxhimi I Qeverisë me këtë krizë.
Si e shihni procesin e liberalizimit të vizave, a besoni se do të përmbyllet deri në fund të vitit?
Shqipe Mjekiqi: Siç edhe e pamë nga zhvillimet e takimit të fundit të grupit punues për vizat, nuk do të ketë liberalizim të vizave para vitit të ardhshëm dhe madje as kjo nuk është 100% e sigurt. Çdo vonesë në liberalizimin e vizave për Kosovarët është e pajustifikueshme. Tashmë janë bërë 13, përkatësisht 12 vjet, nga liberalizimi i vizave për të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e Kosovës janë pjesë e këtij rajoni dhe meritojnë të drejtën për të lëvizë lirshëm. Qysh në vitin 2018, Komisioni
Evropian pati konkluduar që të gjitha kushtet janë plotësuar gjë qe edhe Parlamenti Evropian e ka mbështetur disa herë. Është për keqardhje që mungesa e konsensusit brenda Këshillit ka lënë Kosovarët të izoluar.
Cili është qëndrimi juaj për procesin e vettingut?
Shqipe Mjekiqi: Reformat në drejtësi si edhe në sektorë tjerë janë shumë të nevojshme. Për të quar më tej procesin e vetingut duhet qasje gjithëpërfshirëse si dhe që ky proces të burojë nga Kuvendi. Besoj nuk ka nevojë të përmendet sërish që koordinimi me faktorin ndërkombtëar edhe në këtë rast është më se i nevojshëm.
Po, për çështjen e targave a mendoni se duhet të tërhiqet plotësisht Qeveria e Kosovës?
Shqipe Mjekiqi: Qeveria duhet të veprojë në koordinim të plotë me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian!