Live

Marrëveshje Francë-Britani, por ‘radari’ ende te shqiptarët

19:12 / 14 Nëntor 2022

Nga admin

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord.

Së bashku firmosën një marrëveshje, në të cilën shkruhet se Londra do duhet të paguajë jo pak, por plot 72.2 milionë euro, të cilat do të jepen për Francën brenda vitit 2022-2023.

Kjo për patrullimin e emigrantëve të jashtëligjshëm që kalojnë nga Franca për në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, të njohura si gomone.

Deri në këtë pikë asgjë jashtë normales.

Por, një pikë tjetër e marrëveshjes është ngritja e një grupi pune – specifikisht – për të kontrolluar ardhjen emigrantëve shqiptarë.

Kjo tregon se ata ende mbeten “një kërcënim” për Qeverinë britanike.

Me ketë marrëveshje të firmosur, sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, po i qëndron pretendimit se emigrantët shqiptarë bëjnë “deklarata të rreme” për skllavërinë moderne për të “anashkaluar” kontrollet kufitare.

Po ashtu, ngritja e një grupi pune do t’i japë shtysë Policisë franceze që të “veprojë” ligjërisht kundrejt këtyre nisjeve.

Jo se më parë nuk e ka bërë.

Ashtu siç tregon edhe një 20-vjeçar – i nisur me gomone drejt Anglisë këtë verë – Policia franceze i ka pasur gjithmonë nën radarë “shqiptarët”.

20-vjeçari, që kërkoi të mbetet anonim, tregon për Albanian Post, se si në qytezat port të Calais-it dhe Dunkirk-ut në Veri të Francës emigrantët shqiptarë ishin “një vije e kuqe” dhe pse kishin shkuar në mënyrë legale atje.

Gjatë qëndrimit të tij në Calais, në pritje të nisjes së gomones, organizatorët e udhëtimeve, të cilët ishin shtetas kurdë, u kërkonin shqiptarëve që të fshihnin sa më mirë pasaportat e tyre kur të shkonin në supermarketet franceze ose kudo aty pranë.

Kjo, pasi ata me shumë mundësi do të ndaloheshin dhe të ktheheshin për Shqipëri.

Ai kishte dëgjuar se si një grup shqiptarësh ishin arrestuar asokohe sa kishin mbërritur në këto zona.

20-vjeçari, i cili tashmë ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar, kujton se si disa bashkëmoshatarë të tij prej Irakut e këshillonin të kishte kujdes kur dilte jashtë kampit, që kishin ngritur diku atje në brigje.

“Për ne nuk ka problem, nuk na bezdisin se nuk kanë ku të na çojnë, por ty do të kthejnë direkt në Shqipëri se atje nuk keni luftë”, i kishte thënë irakiani.

Tanimë në Francë kjo do të çojë në një rritje të represionit, që t’i bëjë refugjatët të lëvizin dhe në lojë të futet policia ushtarake.

Jo vetëm kaq.

Marrëveshja nuk adreson as faktorët që i shtyjnë burrat dhe gratë të bëjnë udhëtime të rrezikshme për të arritur në Britani.

Të paktën kështu mendon Këshilli i Refugjatëve në Mbretërinë e Bashkuar, i cili e ka kritikuar atë.

Për Këshillin e Refugjatëve nevojitet një marrëveshje që fokusohet në krijimin e rrugëve më të sigurta si bashkimi familjar dhe puna me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera.

Kjo për të gjetur zgjidhje globale e për të ndarë përgjegjësinë për atë që është një sfidë globale.

Por, për Mbretërinë e Bashkuar e rëndësishme është stopimi i këtij piku ( vlen të theksohet se në vitin 2002 janë bërë rreth 84 mijë 130 kërkesa për azil e deri më tani këtë vit janë bërë vetëm 63 mijë e 89).

Britanikët përpos marrëveshjes kanë gjetur dhe një mënyrë “origjinale” për largimin e refugjatëve.

Akomodimin “e keq” në hotele “të papërshtatshme”, kështu tha ministri britanik i Imigracionit, Robert Jenrick, i cili shtoi se refugjatët janë tërhequr nga “kushtet e mira” që po mbahen.

Mesa duket, pasi të udhëtojnë disa orë me gomone në det të trazuar, nëse nuk gjejnë një hotel të mirë refugjatët do të largohen nga Mbretëria e Bashkuar.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...