Policia e Shtetit dhe SHBA do të ngrenë skuadra hetimore të përbashkëta, si dhe do të zhvillojnë operacioneve të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit kibernetik. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi mes zëvendës ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Demian Smith, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Muhamet Rrumbullaku.
Në këtë takim zëvendës ambasadori Smith shoqërohej edhe nga shefja e zyrës së Sigurisë Rajonale në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Karen Riley. Në fokus të këtij takimi ishin vlerësimi dhe forcimi më tej i marrëdhënieve shumë të mira dhe strategjike, mes Policisë së Shtetit, ambasadës amerikane, policisë dhe agjencive ligjzbatuese amerikane.
Sipas njoftimit për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pasi falënderoi zëvendës ambasadorin Smith, për vizitën, e njohu atë me prioritetet që ai ka për ristrukturimin e Policisë, në drejtim të forcimit të strukturave të hetimit të krimeve, veçanërisht të hetimit të krimit të organizuar, korrupsionit, hetimit të aseteve kriminale dhe krimeve kibernetike.
Rrumbullaku ka theksuar edhe vendosjen e standardeve të reja në drejtim të qasjes ndaj problematikave të qytetarëve dhe zgjidhjes së tyre, në bazë të kompetencave që i jep ligji; pastrimin e Policisë nga punonjësit e inkriminuar, duke aplikuar ndëshkueshmërinë më të rreptë që parashikon ligji për punonjësit e Policisë që abuzojnë me detyrën, që përfshihen në raste korruptive apo në trafiqe të paligjshme, si dhe për ata që abuzojnë dhe shkelin të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve; vendosmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisisht me partnerët, veçanërisht me ata strategjikë, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.
Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se zëvendës ambasadori Smith ka vlerësuar marrëdhënien e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe ambasadës amerikane në Tiranë, si dhe i ofroi Rrumbullakut, mbështetje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe e siguroi për ndihmë nga SHBA, për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
Ambasadori dhe Drejtori i Përgjithshëm e vlerësuan partneritetin si formën më të mirë që i shërben rritjes së parametrave të sigurisë së jetës dhe të biznesit të qytetarëve të të dyja vendeve dhe u dakordësuan që ky partneritet të zgjerohet akoma më shumë në të ardhmen, duke shtuar skuadrat hetimore të përbashkëta dhe shkëmbimet e informacioneve, me qëllim zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për goditjen e kimit të organizuar, terrorizmit dhe krimit kibernetik.