Live

Drecun: Pritet që Kurti të largohet nga pushteti

12:41 / 18 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Kryetari i të ashtuquajturës komision serb për Kosovë, Millovan Drecun, ka thënë se mes Brukselit dhe Prishtinës ka një shkëmbim intensiv të mendimeve dhe qëndrimeve dhe se për shkak të qëndrimeve të shteteve perëndimore dhe SHBA, pritet që Kosova në momentin e fundit të pranojë sugjerimet e tyre, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “është plotësisht e qartë se shumica e serbëve nuk do të votojnë në zgjedhje, nëse ato mbahen”.

“Përkundër kësaj, Prishtina dëshiron disi t’i mbajë ato zgjedhje dhe madje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron se do t’i njohë rezultatet, pa marrë parasysh sa njerëz do të dalin. Do të dalin disa shqiptarë, ndoshta disa boshnjakë, por serbët nuk do të dalin. Ky është fillimi i një njoftimi të ri të destabilizimit. Ne po kalojmë nga një situatë e keqe në një situatë edhe më të keqe”, kërcënon Drecun, transmeton Paparaci.

Ai ka shtuar se “ndoshta problemi me targat do të zgjidhet përkohësisht dhe do të qetësohet situata”, por më vonë, sipas fjalëve të tij, “po përgatitet një situatë edhe më e keqe sa i përket zgjedhjeve”.

“Prishtina nuk dëshiron asnjë marrëveshje, qëllimi i tyre i vetëm është të provokojnë konflikte dhe do të përdorin çdo situatë të mundshme që këtë ta provokojnë. Problemi i Prishtinës është kriza institucionale dhe politike. Problem edhe për Prishtinën edhe për Perëndimin është kur nuk ka serbë në institucionet e përkohshme, të cilët janë sipas numrit populli i dytë në Kosovë. Nuk ka multietnicitet në ato institucione, ose siç i pëlqen të thotë Perëndimi, nuk ka përparim në Kosovë”, ka pretenduar Drecun.

Ai ka shtuar se kjo “krijon një krizë të rëndë politike dhe krijon presion mbi Kosovën”, andaj, sipas tij, “ka shumë mundësi që në muajt e ardhshëm të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë”.

“Tashmë mund të shohim disa kontakte të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës me zyrtarë dhe diplomatë amerikanë dhe evropianë. Duket se, ndoshta, e gjithë puna është e drejtuar drejt zgjedhjeve të reja dhe drejt ndryshimit të qeverisë, që thjesht Albin Kurti të largohet nga pushteti dhe ndoshta këto dy parti të jenë shumicë”, pretendon Drecun

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...