Live

Serbia paguan bojkotin e serbëve në Kosovë

09:58 / 19 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të nënshkruajnë kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.

Në këto kontrata theksohet se kryerësi i punës merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për “mbështetje të komunitetit serb” në veri të Kosovës.

Në kontratën mbi vepër thuhet se kryerësi i punëve do t’i kryejë ato në përputhje me “urdhrin dhe nevojën e treguar”. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë ato.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë nënkupton “kryerja e punëve për mbështetje të komunitetin serb”.

Gjithashtu nuk ka pasur sqarime se çfarë do të thotë “kontratë për angazhim të posaçëm pune”, duke pasur parasysh se një kontratë e tillë nuk ekziston në Ligjin e punës në Serbi

Në anën tjetër, legjislacioni i Kosovës e njeh “kontratën për detyrë të veçantë”, e cila lidhet për më së shumti 120 ditë gjatë vitit dhe kjo kontratë nuk parasheh, ndër të tjera, të drejtën për pushime.

Sipas rregullores në Serbi, kontrata mbi vepër e nënshkruar nga punëtorët, lidhet me qëllim të kryerjes së punëve që janë jashtë veprimtarisë së punëdhënësit, ndërkaq punëtori nuk i ka të drejtat e njëjta sikurse të punësuarit, ndër të tjera, kontrata nuk parashikon të drejtën e pushimeve vjetore dhe pushimit mjekësor.

Kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.
Kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.

Nënshkrimi i kontratës nënkupton që nënshkruesi do të marrë pagën për muajin nëntor në sistemin e Serbisë, në kuadër të institucioneve paralele – Organeve të përkohshëm të katër komunave në veri të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë komentin e saj lidhur me njoftimin se autoritetet e Serbisë kanë ofruar kontrata për serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës në veri të vendit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.

Si u arrit në këtë pikë?

Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës pas shkarkimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Këto targa është dashur të zëvendësohen me ato që kanë mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës).

Serbët nga veriu i Kosovës dhe Beogradi zyrtar kundërshtojnë riregjistrimin e targave në RKS dhe kërkojnë targa KS, të cilat konsiderojnë neutrale ndaj statusit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 9 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, do të punësohen në organet shtetërore të Serbisë.

“Asnjë nga ata 3.500 njerëz nuk do të jetë në rrugë. Ne do të kujdesemi për të gjithë”, tha Vuçiq asokohe.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë njoftoi, më 17 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Kosovës, tani do t’i marrin të gjitha nga shteti i Serbisë.

Siç tha Vuçiq në TV Pink, më 6 nëntor, kjo do t’i kushtojë shtetit nga 50 deri në 60 milionë euro.

Zyra për Kosovën nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se nga cilat mjete janë ndarë këto para.

“Mobilizim i heshtur i serbëve në veri”

Me nënshkrimin e kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Kosovës, autoritetet serbe i janë qasur riaktivizimit dhe forcimit të institucioneve paralele serbe në katër komunat e veriut të Kosovës, vlerësojnë njohësit e proceseve politike dhe të çështjeve të sigurisë.Qeveria e Serbisë dëshiron t’ua bëjë me dije serbëve të Kosovës se ata, tash e tutje, do të varen vetëm nga Serbia”.
Kjo qasje, sipas tyre, mund të marrë kahe të rrezikshme në aspektin e sigurisë në Kosovë.

Ofrimin e kontratave nga Serbia për qytetarët serb të veriut të Kosovës, njohësi i proceseve politike, Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e sheh si keqpërdorim të statusit social dhe etnik të serbëve të Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ai thekson se Serbia përmes këtyre kontratave ka nisur mobilizimin e serbëve të Kosovës.

“Me këtë, Qeveria e Serbisë dëshiron t’ua bëjë me dije serbëve të Kosovës se ata, tash e tutje, do të varen vetëm nga Serbia dhe çfarëdo veprimesh që mund të merren në Kosovë nga ana e Qeverisë së Serbisë, këta duhet të jenë në shërbim të atyre veprimeve. Për mendimin tim, ky është një lloj i butë, i heshtur i mobilizimit të serbëve në veri, ndonëse nuk quhet i tillë. Është një lloj mobilizimi institucional, në mënyrë që Serbia, përmes serbëve të Kosovës, të ketë përgjigje për secilën situatë, e cila mund të krijohet eventualisht në veri”, thotë Paçarizi.

Një mobilizim i qytetarëve serbë në veri të Kosovës, u pa edhe gjatë tensioneve që nisën më 31 korrik, para fillimit të procesit të riregjistrimit të targave serbe me emërtimet e qyteteve të Kosovës në ato RKS (Republika e Kosovës) dhe vendosjes së masave reciproke lidhur me dokumentin, i cili duhet të zëvendësojë letërnjoftimet serbe gjatë vizitës së këtyre personave në Kosovë.

Atë ditë, serbët lokalë në katër komuna në veri të Kosovës bllokuan rrugët me kamionë dhe vetura të tjera në shenjë proteste, kurse Lista Serbe i falënderoi për këtë dhe i inkurajoi.

Në mesin e makinerive të rënda, me të cilat serbët në veri të Kosovës ngritën barrikada dhe bllokuan pothuajse të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, kishte edhe automjete pothuajse identike me ato që përdoren nga shërbimet komunale serbe në komunat në veri të Kosovës.

Por, Paçarizi sqaron se pse e cilëson si mobilizim institucional të serbëve të veriut të Kosovës, nënshkrimin nga ana e tyre të kontratave të ofruara nga shteti i Serbisë.

“Me vetë faktin që nuk përcaktohet se çfarë pune duhet të kryejnë, nuk përcaktohet se cili është eprori, të cilit duhet t’i përgjigjen me kontratë. Do të thotë, përgjegjësia dhe gatishmëria e tyre për punë apo për kryerjen e çfarëdo lloj urdhrave apo detyrave, siç specifikohet në kontratë, i bie që ata kanë pranuar të nënshkruajnë një dokument, sipas të cilit janë të gatshëm të veprojnë në bazë të urdhrave që jepen nga lart. Në këtë rast, të urdhrave që mund të jenë eventualisht nga Qeveria e Serbisë apo nga njerëz që janë të deleguar nga Qeveria e Serbisë, për të kryer detyra të caktuara”, vlerëson Paçarizi.

Neni 1 i kontratave të ofruara nga shteti i Serbisë.
Neni 1 i kontratave të ofruara nga shteti i Serbisë.

Serbët në veri “janë vënë para aktit të kryer”

Më 7 shtator, ministrit të Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka pranuar se kanë dhënë dorëheqje 461 zyrtarë serbë të rendit, 107 policë kufitarë dhe dhjetë hetues policorë.

Kontratat e tilla, sipas tyre, potencialisht mund t’u ofrohen edhe ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb në veri të vendit, të cilët dhanë dorëheqje nga detyra.


Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se përmes kontratave të ofruara për qytetarët serbë, të cilët kanë braktisur institucionet e vendit, shteti i Serbisë po synon të krijojë një realitet të ri në katër komunat veriore të Kosovës.

“Kjo nënkupton që ata (nënshkruesit e kontratave) janë rekrutuar për ta destabilizuar Kosovën. Faktikisht, në njëfarë formë, për shumicën e këtyre qytetarëve serbë, nuk ka mbetur ndonjë alternativë se si të veprojnë. I kanë vënë këta persona në pozitën e aktit të kryer, ku janë detyruar të shndërrohen në vegla të pushtetit serb, brenda Kosovës”, thotë Vrajolli.

Ai shton se pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kanë nënshkruar kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë, sipas legjislacionit të Kosovës mund të ndiqen penalisht, sepse ata kanë shkelur rendin kushtetues të Kosovës.

Megjithatë, ai thekson se Qeveria e Kosovës, duhet të jetë e kujdesshme në veprimet e saj ndaj kësaj situate të krijuar dhe që problemin ta zgjidhë për një periudhë të caktuar, përmes rrugëve diplomatike me faktorët ndërkombëtarë.

“Ajo çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës është që ta rrisë presionin, përmes komunitetit ndërkombëtar, drejt Qeverisë serbe, për shkak se kjo që është duke e bërë shteti i Serbisë në raport me komunitetin serb në Kosovë është tendencë e hapur, e institucionalizuar, e drejtpërdrejtë dhe zyrtare për ta destabilizuar Kosovën”, thekson Vrajolli.

“Aranzhim i përkohshëm deri në legalizim”

Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, konsideron se bëhet fjalë për “aranzhime të përkohshme” derisa ato institucione të përkohshme të “legalizohen”.

“Në momentin kur të legalizohet ekzistenca e komunave në sistemin serb, do të ketë emërime dhe do të ketë zgjedhje (të kuadrove)”, thotë ai.
Ai thekson se është e logjikshme që “duhet t’i paguani njerëzit që keni nxjerrë nga institucionet e Kosovës”.

Ai, po ashtu thekson se është urgjente të gjendet një marrëveshje për të ndalur destabilizimin e situatës dhe për ruajtjen e paqes në Kosovë.

Prej institucioneve të Kosovës në ato paralele

Institucionet paralele të Serbisë funksionojnë në komunitetet serbe në Kosovë edhe pas 14 vitesh që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Beogradi.

Një nga qëllimet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ishte pikërisht shfuqizimi i këtyre strukturave paralele, pra integrimi i tyre në sistemin e Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi tërësisht, sepse ende funksionojnë Organet e përkohshme komunale dhe rrethet administrative të Serbisë, të cilat financohen nga Beogradi. Po ashtu funksionojnë edhe institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat nuk kanë pika kontakti me sistemin e Kosovës

Në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, në vitin 2013, është arritur pajtimi që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në vitin 2015, u arrit marrëveshja shtesë për parime e Asociacionit. Megjithatë, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime nuk janë në harmoni të plotë me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, refuzon zbatimin e kësaj Marrëveshjeje sepse konsideron se është e dëmshme dhe mund të çojë në krijimin e një Republike Sërpska të re (një nga dy entitetet në Bosnje dhe Hercegovinë) në veri të Kosovës, ku jeton popullsia me shumicë serbe.

Analisti nga Beogradi, Dushan Janjiq vlerëson se lëvizjet e fundit po krijojnë një realitet të ri, në të cilin Serbia nuk duhet të kënaqet vetëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Beogradi refuzon të njohë Kosovën si shtet. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008. Që atëherë, ajo ka institucionet e veta.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve nisi në vitin 201, nën ombrellën e Bashkimit Evropian. Ky dialog do të duhej të përfundojë me një marrëveshje obliguese.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Serbinë, por edhe për Kosovën, për të përparuar drejt integrimeve evropiane.

Ndërkohë, në dialog është përfshirë edhe propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim nuk është publikuar zyrtarisht. Megjithatë, të dyja palët e kanë të njohur përmbajtjen e tij, ndërkaq në opinion kanë dalë variante të dokumentit, i cili flet për të drejta të barabarta ndërkombëtare për të dyja palët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka vlerësuar propozimin si të papranueshëm për Serbinë, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar si bazë të mirë për diskutime të mëtejshme./REL/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...