Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin e krerëe të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë. Në këtë samit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Anipse të dy tash e sa kohë iu bie të marrin pjesë në samite e forume të njëjta, ata vazhdojnë të ‘mos e shohin’ njëri-tjetrin.
E njëjta ka ndodhur edhe në samitin në Tunizi. Osmani e Rama kanë shpërndarë fotografi nga pjesëmarrja në këtë samit dhe nga bisedat e tyre me krerë të ndryshëm, por jo me njëri-tjetrin.
Megjithatë, në disa nga fotografitë e postuara në Facebook, shihen afër njëri-tjetrit, pasi ashtu u rastisi me protokoll.
Rama, në llogarinë e tij në Facebook, publikoi një album fotografish ku shihet dorështrënguar me shumë udhëheqës të vendeve të ndryshme, por një të tillë s’e pati edhe me Osmanin.
“FOTOJA FAMILJARE e 88 krerëve të shteteve pjesëmarrëse në Samitin e XVIII të Frankofonisë”, shkroi Rama në Facebook.
Njëjtë veproi edhe Osmani, e cila para pak minutash postoi fotografi nga ky samit duke thënë se “Samiti i krerëve të 88 shteteve anëtare të Frankofonisë, na e dha mundësinë e shkëlqyer për të diskutuar e zgjeruar partneritetin me shtete të ndryshme anekënd botës”.