Numër rekord i vrasjeve të fëmijëve është shënuar në konflikte të armatosura nëpër botë vitin e kaluar, thuhet në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OK). Më shumë se 12 mijë fëmijë raportohet se u vranë kryesisht në Afganistan, Jemen, Siri dhe vende të Afrikës Veriore.
Raporti thekson se në krahasim me vitin 2017, në 2018-ën numri është rritur ndjeshëm. Po ashtu gjithsej 1 mijë e 366 civilë janë vrarë dhe mbi 2 mijë e 400 janë plagosur në konfliktin në Afganistan në gjashtë muajt e parë të këtij viti, bën të ditur Kombet e Bashkuara.
Grupet e armatosura vazhdojnë të shkelin çdo rregull kur bëhet fjalë për fëmijët, por në krahasim me vitin 2017 numri është rritur ndjeshëm, theksohet në raport. Grupi për të drejtat e njeriut (Human Richt Watch) ka vërtetuar se në Jemen, është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve-viktimë, për të cilët direkt mbajnë përgjegjësi koalicioni Arabi Saudite – Jemen.
Sipas raportit të organizatës ndërkombëtare, në vitin 2018, më së shumti fëmijë kanë humbur jetën në Afganistan, gjithsej 3 mijë e 62. Ndryshe, raporti thekson se gjithsej 1 mijë e 366 civilë janë vrarë dhe 2 mijë e 446 janë plagosur në konfliktin në Afganistan në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Shifrat e fundit të Misionit të Ndihmës të OKB-së në Afganistan, të publikuara sot, tregojnë për rënie të numrit të viktimave për 27%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thanë se e mirëpresin këtë rënie, porse vazhdojnë “ta konsiderojnë nivelin e dëmit që u bëhet civilëve si tronditës dhe të papranueshëm”.
Bilanci i përgjakshëm në Afganistan vazhdon, me gjithë përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur marrëveshje me militantët talibanë, që do t’i jepte fund luftës gati 18-vjeçare.