Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ende nuk ka caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Salih Mustafës, gjykimi i të cilit përfundoi më 15 shtator të këtij viti.
Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).
Ajo ka thënë se me rastin e caktimit të datës, e njëjta do të bëhet e ditur për publikun.
“Trupi gjykues ende nuk ka caktuar një datë për shpalljen e aktgjykimit. Kur të ndodhë, urdhri i planifikimit do të bëhet publik dhe data do të shpallet”, ka thënë ajo.
Në bazë të Rregullores, vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit.
“Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. 3.Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të. Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, potencon po ashtu Rregullorja.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga DhSK të informohet nëse trupi gjykues ka kërkuar zgjatje të mëtejshme të afatit të shpalljes së aktgjykimit.
“Trupi gjykues deri më tani nuk ka treguar në asnjë dosje publike se kur do të shpallet aktgjykimi dhe as nuk ka pasur ndonjë indikacion nëse do të kërkohet kohë shtesë”, ka thënë Griep.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.