Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar lidhur me Projektligjin për Pagat duke thënë se është degradues për pozitën e kryetarit.
Sipas AKK-së, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese.
“Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga Qeveria [e Kosovës] që për punë të njëjtë të jetë paga e njëjtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm. Përjashtim kryetarin e Kryeqytetit, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka kryetari i Komunës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Ata theksojnë se kryetari i komunës përgjegjësitë i ka tejet të mëdha.
“Kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij”, theksojnë ata.
Në fund, AKK thotë se niveli i pagave në Projektligj nuk reflekton me pozicionin që ka një kryetar komune.
“Këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në Draftligjin e Pagave. AKK-ja do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projekt Ligjin për Paga në Sektorin Publik në takimet me komisionet parlamentare”, përfundon reagimi i AKK-së.