14 persona u arrestuan në nëntor të këtij viti pas aksionit të Policisë së Kosovës kundër qendrave të thirrjeve të njohura si “Call Center”. Të arrestuarit dyshohen për veprat penale si “Hyrja në sisteme kompjuterike, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”. Ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Insajderi sjellë dosjen e plotë me akuzat që po përballen të dyshuarit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit për dy muaj ndaj të dyshuarve Omer Tene, Altin Gashi, Bindi Balidemaj, Artan Ademaj, Lauresa Hoxha, Lirie Gegaj, Dibran Morina, Albion Selmanaj, Enesa Tene, Ilir Kadishani, Joana Llapi, Kujtim Islamaj, Marigona Pepiqi dhe Vildane Kosumi.
Vazhdimi i paraburgimit sipas aktvendimit të siguruar nga Insajderi, të pandehurve iu llogaritet nga 8 dhjetori dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt të vitit 2023.
Në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës që janë mbledhur nga prokuroria ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë vepruar si punëtorë të qendrës së thirrjeve në kompaninë “O.T. Capital L.L.C” në Prishtinë, pronë e të pandehurit Omer Tene.
ë pandehurit përmes thirrjeve telefonike duke përdorur softwer kompjuterik, kanë kontaktuar të dëmtuarit nga vende të ndryshme të botës, me të ardhura të larta, të cilët nuk kishin njohuri në fushën e investimeve, e as në teknologji, shkruan Insajderi.
Të njëjtit iu kanë ofruar të dëmtuarve investime në aksione, para virtuale, forex etj., duke i udhëzuar që të investojnë në ëeb faqen të cilën të pandehurit e kanë krijuar vet dhe në të cilën manipulojnë me vlerën e tyre.
Më pas, viktimat i udhëzojnë që në kompjuter të instalojnë softwer për qasje nga distanca për “broker” për të bërë më shpejt investimin, ndërsa në fund të hollat nga viktima kanë shkuar në xhirollogaritë të bizneseve të ndryshme fiktive, e nga aty në llogari të biznesit “O.T. Capital LL.C”. Kështu, viktima Beckenmeyer nga Gjermania, duke besuar që po investon në para virtuale bitcoin, ka bërë pesë transfere të parave në shumë të përgjithshme prej 71 mijë e 250 euro në disa llogari të ndryshme hungareze dhe lituaneze. Me 10 maj të 2021 e ka transferuar shumën prej 38 mijë e 900 euro në llogari të firmës “Vegatek Green Trade KFT”, por të njëjtën ditë të hollat janë transferuar në llogarinë e kompanisë “O.T. Capital L.L.C”.
Këto veprimtari kriminale të pandehurit i kanë zhvilluar në vende të ndryshme të Evropës, Australisë, Kanadasë etj.
Gjyqtari i procedurës paraprake në bazë të këtyre provave, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas tij, të pandehurit në qëndrimin në liri mund të arratisen, pasi kanë lidhje të forta nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. /Insajderi