Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar do t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it që të sigurojë hyrjen e ushtrisë serbe në territor të Kosovës “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”. Megjithatë, ai ka shtuar se e di që një kërkesë e tillë do të refuzohet.
Vuçiq, e ka konsideruar pamaturi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ndalim të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Në një fjalim të mbajtur para popullit, ai ka thënë se ka folur me partnerët ndërkombëtarë dhe se vendimi për arrestimin e Pantiqit e ka rrezikuar paqen.
“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, ka thënë ai.
Serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, pak pas ndalimit të Pantiqit.
Policia e Kosovës ka mbyllur më pas dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.