Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar sot aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ky aplikim pritet të dorëzohet më 15 dhjetor në Presidencën e BE-së, që kryesohet nga Çekia.
Ai tha se aplikimi është e drejtë e Kosovës.
“Aplikimi në BE është e drejtë e Kosovës, është marrëveshje e nënshkruar në mes të palëve, që Serbia nuk do ta ndalë Kosovën për t’u integruar në mekanizmat ndërkombëtarë dhe unë e di që kjo është e drejtë e Kosovës”, u shpreh Haliti.
Deputeti Haliti tha për Front Online se ky proces mund të zgjasë së paku 20 vite.
E gjithë kjo varet nëse do ta kenë në rend dite Bashkimi Evropian.
“BE-në është duke e udhëhequr Çekia, dhe varet se kërkesa e Kosovës a do të futet në rend dite në mbledhjen e ministrave ose të kryeministrave të vendeve të BE-së, për ta trajtuar si proces. Procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE mundet me zgjat deri në 20 vite më së paku, nëse nuk marrin vendim që i gjithë Ballkani të futet në BE, unë po them nga ajo se si kanë funksionuar deri më tani, të paktën 20 vite i duhen Kosovës me i përmbush detyrimet që kanë shtetet për t’u fut në BE”, deklaroi ai për Front Online.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.