Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar sot nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.
“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”
Por cila është domëthenia e BIA-s që u përmend sot në gjykimin e Salih Mustafës-Calit?
Tre shokë, miq, idealistë, vëllezër të armëve në luftën për liri. Aktivistë të LPRK-së, themelues e udhëheqës të LKÇK-së. Dy të parët Agron Rrahmani e Bahri Fazliu dëshmorë të kombit e heronj të Kosovës. I treti Salih Mustafa-Cali komandant i gueriljes së Prishtinës “BIA” të UÇK-së që është shkurtim i emrave të shokëve të tij dëshmorë Bahri Fazliu, Ilir Konushevci e Agron Rrahmani, transmeton Kosovalive.net.
Në nder të këtyre dëshmorve iu ka ngjit emri gueriles BIA ku komandant ka qenë Cali.
PËRMBLEDHJE E AKUZAVE
Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim.
Salih Mustafa akuzohet për:
KRIMET E LUFTËS TË :
Ndalimit arbitrar (Pika 1)
Trajtimit mizor (Pika 2)
Torturës (Pika 3)
Vrasje së paligjshme (Pika 4)
ZHVILLIMET PROCEDURALE
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).
Më 30 prill 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e parë mbi kërkesat e viktimave.
Më 7 Maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.
Më 21 maj 2021, Trupi Gjykues nxori vendimin e dytë mbi kërkesat e viktimave. Trupi Gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar. Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).
Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.
Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së.
Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.
Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.
Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.
Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.
Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022./Kosovalive.net/