Emisari i dikurshëm Bashkimit Evropian për Kosovën, austriak Wolfgang Petrisch, ka komentuar për mediat në Beograd rreth kërkesës serbe për kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë.
Ai ka thënë se është më e rëndësishme që KFOR-i të marrë përsipër detyrën e tij, të garantojë sigurinë dhe në këtë mënyrë të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Kosovë.
Petrisch thekson se detyra e KFOR-it është të kujdeset për qetësimin e situatës.
“Tani është e rëndësishme që KFOR të marrë përsipër detyrën e tij dhe të rivendosë sigurinë, duke parandaluar kështu përshkallëzimin e mëtejshëm. Detyra e KFOR-it është të kujdeset për rivendosjen e paqes”, tha Petrich për Kosova Online.
Ai thekson se është KFOR ai që duhet të diskutojë për Rezolutën 1244, por që tani më e rëndësishme është të mendohet se si mund të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët e veriut të Kosovës, sepse ky është roli kyç i KFOR.
“Është e qartë se KFOR duhet ta diskutojë këtë me Beogradin. Unë e di që kjo tashmë po ndodhë,” shtoi Petrisch
I pyetur për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, ai thotë se një kërkesë të tillë mund ta paraqesë kushdo dhe se sigurisht që do të analizohet në detaje dhe se do të duhet pak kohë derisa Kosova të marrë përgjigje.
Diplomati austriak thekson se është në interes të Kosovës, nëse vërtet dëshiron të shkojë drejt anëtarësimit në BE, t’i trajtojë vlerat dhe dëshirat e Unionit në mënyrë konstruktive. Kjo para së gjithash, sipas tij, nënkupton zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Prioritet duhet të jetë marrja me Asociacionin e Komunave Serbe, themelimi i të cilit është arritur në vitin 2013. Prishtina duhet të krijojë një model të ndershëm se si mund të duket,” ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se situata është e rrezikshme, por përshtypja e tij është se BE dhe SHBA janë të gatshme të punojnë aktivisht për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.