Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia ende nuk ka marrë përgjigje nga KFOR-i lidhur me kërkesën që ta lejojë dërgimin e një numri të forcave të sigurisë serbe në Kosovë.
Daçiqi ka thënë të shtunën se nuk është në dijeni për ndonjë përgjigje nga KFOR-i.
“Deri në këtë moment nuk jam në dijeni se kemi marrë një përgjigje”, ka thënë Daçiq.
Ai ka shtuar se është e vështirë të diskutohet për një zgjidhje të përhershme me Kosovën duke thënë se serbët po arrestohen në Kosovë.
Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten vendimin që t’i kërkojë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ta lejojë dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë, ka konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se kërkesa do t’i dorëzohet KFOR-it qysh në mëngjesin e së premtes. Vuçiqi ka përsëritur se nuk sheh shanse që KFOR-i ta pranojë këtë kërkesë.
“Vendimi është marrë. Nesër në mëngjes, personalisht do ta dërgojmë te komandanti i KFOR-it kërkesën që një numër i caktuar, në qindra deri në mijëra, i forcave tona të kthehet në Kosovë”, ka thënë pas mbledhjes, Vuçiqi.
Vuçiqi pati arsyetuar këtë kërkesë duke u bazuar “në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar të premten se është duke shqyrtuar kërkesën e Serbisë për kthim të ushtrisë në Kosovë.