Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në protestën e djeshme, Serbia nuk i ndaloi “huliganët serbë”, por ajo “u tërhoq nga plani për djegien” e pikës kufitare në Jarinje.
Bislimi në Facebook ka shkruar se protesta e djeshme në Jarinjë tregon përfshirjen e aktorëve dhe autroit të vertët që sipas tij është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se dje ka qenë plan ruso-serb që të digjej pika kufitare në Jarinjë.
“Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët).”, ka thënë ai.
Shkrimi i plotë i Bislimit:
DJE SERBIA NUK I NDALOI HULIGANËT SERBË – AJO U TËRHOQ NGA PLANI PËR DJEGIEN E JARINJËS
Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.
Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin.
Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.
Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët).
Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte.
Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në.
Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë!