Gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” raportoi pak ditë më parë se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar “takim sekret” në Zvicër lidhur me situatën mes dy vendeve. Njëri prej tyre që ka qenë në këtë takim që po quhet sekret del të jetë Ardian Gjini, kryetari i Gjakovës dhe njëherit nënkryetar i AAK’së.
Këto e ka konfirmuar vetë Ardian Gjini në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net. Sipas Gjinit, këto takime mbahen qe disa vite dhe nuk kanë qenë asnjëherë sekrete, e që nuk janë as takime negociuese.
“Janë takime të cilat mbahen për shumë vite. Edhe pjesëmarrësit kanë qenë të ndryshëm, nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëherë nuk kanë qenë sekrete. Në fakt nuk janë takime negociuese. Është spektakularitet i kotë”, tha fillimisht Gjini.
Nënkryetari i AAK-së u shpreh se Qeveria zvicerane mbështet CIG për mbajtjen e takimeve joformale dhe se rregulla “Catham House” nënkupton moscitim të njëri-tjetrit e jo fshetësinë e diskutimeve.
“Rregulla Chatham House nënkupton moscitim të njëri tjetrit e jo fshehtësi të diskutimeve. Qeveria Zvicerane e mbeshtet CIG për mbajtjen e takimeve joformale diskutuese”, tha ai.
Për këto “takime sekrete” u deklarua sot edhe Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Edhe ajo tha se takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata, ndërsa e cilësoi si “shumë zhurmë për asgjë”.
Ishin mediat serbe ato që raportuan se në këto takime Serbia është përfaqësuar nga Nemjana Staroviq, Sanda Raskoviq Iviq, Branko Ruzhiq, Gjorgje Paviçeviq, ndërsa Kosova është përfaqësuar nga Mimoza Kusari e Lëvizjes Vetëvendosje, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Ardian Gjini i AAK-së.