Live

Prokurorja mungon për arsye shëndetësore, shtyhet gjykimi ndaj doganierit të akuzuar për korrupsion

17:34 / 19 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Për shkak se prokurorja Sebahate Sinani mungoi për arsye shëndetësore, ka dështuar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku zyrtari doganor, Bekim Kqiku po akuzohet për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Bytyqi njoftoi se prokurorja e çështjes, Sebahate Sinani, përmes e-mailit zyrtar e ka njoftuar gjykatën që nuk mund të jetë e pranishme për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana, kjo seancë u shty dhe ajo e radhës u caktua më 2 shkurt 2023.

Ndryshe, prezent në sallën e gjykimit ishte i akuzuari Bekim Kqiku dhe mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi.

Sipas dispozitivit I të aktakuzës, i pandehuri Bekim Kqiku, më 16 prill 2021, në pikën kufitare në Glloboçicë, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër, me dashje kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin e tij, të parapara me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, Nr.03/L-109, Udhëzimet administrative të brendshme dhe standardet e sjelljes dhe etikës sipas Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës.

Në akuzë thuhet, i pandehuri derisa ishte në detyrë, kishte biseduar paraprakisht me personin e quajtur Leutrim Rexhepi dhe të njëjtin e kishte njoftuar lidhur me kohën kur është i caktuar kontrolli me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i kishte mundësuar që ta kalojë pikën kufitare duke kontrabanduar mallra nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore të kontrollit, ndërsa si shpërblim për shërbimin e kryer ishte marrë vesh me Leutrimin që i njëjti t’ia rregullojë një pjesë të veturës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas pikës II të aktakuzës, më 19 mars 2021, rreth orës 16:53 në pikën kufitare në Han të Elezit, i pandehuri në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar ryshfet nga i pandehuri Fehmi Raçi, ashtu që sipas aktit akuzues, nga i njëjti me rastin kalimit të kufirit kishte pranuar shumën e të hollave prej 20 euro, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Tutje, sipas pikës III të aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2021, rreth orës 14:30 në Ferizaj, tek pompa e derivateve “Hib Petrol”, i pandehuri në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar 50 euro ryshfet nga i pandehuri Astrit Murataj, ndërsa të njëjtit i kishte mundësuar kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Sipas pikës IV të aktakuzës, i njëjti më 18 maj 2021, rreth orës 17:20 në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar ryshfet nga i pandehuri Lulzim Sadiku, ashtu që nga i njëjti me rastin kalimit të kufirit kishte pranuar shumën e të hollave prej 70 euro, edhe atë një kartëmonedhë prej 50 euro dhe një kartëmonedhë prej 20 euro, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer në vazhdim ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK – së.

Po ashtu, në këtë aktakuzë përfshihen edhe 3 të akuzuar të tjerë, Lulzim Sadiku, Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj, të cilët më 19 tetor 2021 në seancën fillestare kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkoheshin. Andaj, gjyqtari Ibrahim Idrizi, ka bërë veçimin e procedurës ndaj të pandehurve Lulzim Sadiku, Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj, si dhe ndaj tyre është shpallur aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, i akuzuari Lulzim Sadiku është dënuar me dënim unik 10 mijë euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj janë dënuar me gjobë në shumë prej 500 euro (secili veç e veç) si dhe të njëjtit po ashtu veç e veç janë dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muaj, i cili dënim në bazë të nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarve është zëvendësuar me dënim gjobe në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Kështu, sipas dispozitivit V të aktakuzës, i pandehuri Lulzim Sadiku, ngarkohej se nga tetori i vitit 2020 deri më 18 maj 2021, rreth orës 17:20, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kishte bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor , në veturën e të pandehurit të markës “Nissan Pulsar”, i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1 mijë e 385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos – garazhës së tij, i ishin gjetur dhe sekuestruar, edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16 miijë e 290 pako, vlera e përgjithshme e të cilave kap shumën prej 80 mijë e 61 euro e 6 centë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, paragrafi 1 të KPRK – së.

Po ashtu, i njëjti sipas dispozitivit VI të kësaj aktakuze, akuzohej se më 18 maj 2021, rreth orës 17-20 në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Në akuzë thuhet se i pandehuri i kishte dhënë shumën e të hollave prej 70 euro, për çka edhe ishin marrë vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK-së.

I pandehuri Fehmi Raçi sipas dispozitivi  VII të aktakuzës, akuzohej se më 19 mars 2021, rreth orës 16:53, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i kishte dhënë shumën e të hollave prej 20 euro, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Astrit Murataj sipas dispozitivit VIII të aktakuzës, akuzohet se më 21 mars 2021, rreth orës 14:30, në Ferizaj, tek pompa e derivateve “Hib Petrol”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, duke i dhënë shumën e të hollave prej 50 euro, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK– së, raporton betimiperdrejtesi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...