Edhe 38 mijë prishtinasve do t’u mundësohet qasja në ngrohje qendrore së shpejti.
Kjo pas nënshkrimit të një marrëveshjeje 80 milionë euroshe të martën, në mes të Qeverisë së Kosovës, asaj gjermane dhe Bashkimit Evropian.
Projekti parasheh ndërtimin e një impianti, që shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore dhe shton kapacitetin e saj përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 MË të tjerë.
“31,6 milionë euro nga korniza e Ballkanit Perëndimor investive, po ashtu kemi siguruar një grant prej 21,5 milionë euro dhe pjesa tjetër që po ashtu do ta nënshkruajmë sot është kredi me kushte të favorshme nga BERZh”, tha Hekuran Murati, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve.
Ujdia, sipas Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do të ketë ndikim afatgjatë dhe do të sjellë alternativa të tjera për energji termike.
“Kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e ndotjes së ambientit. BE mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Po ashtu ne po mundësojmë që të pasurojmë furnizimin”, tha Szunyog.
E Gjermania është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën në rrugën për kalim në energji të qëndrueshme.
“Gjermania ka luajtur rol kryesor në zhvillimin e sektorit të energjisë në dy dekadat e fundit, në zhvillimin e energjisë dhe sistemit të transmisionit për integrimin në tregun evropian”, tha Matthias Conrad, Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
Këtu u bë e ditur se kjo teknologji mundëson mbledhjen e energjisë diellore gjatë verës, ruajtjen e saj, e më pas përdorimin për ngrohje qendrore gjatë dimrit.