Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri (SHISH), Helidon Bendo, është larguar nga detyra.
Lirimi nga detyra i Bendos është dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj.
Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, D E K R E T O J : Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, thuhet në dekretin e publikuart në faqen zyrtare të presidencës.
Bendo është emëruar në detyrën e Drejtorit të SHISH më 5 nëntor të vitit 2018 duke zëvendësuar Visho Ajazin, të cilit i kishte përfunduar mandati në gusht të këtij viti. Prej 21 vitesh në SHISH, Helidon Bendo, ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ. Bendo ka lindur në qytetin e Korçës në 12 maj 1971.