Zhvillimi i transportit publik, përkatësisht trafikut urban, nga të gjithë akterët është parë si zgjidhja më e mirë për të shmangur tollovinë në qytet. Prishtina vazhdon të ketë numër të vogël të autobusëve, mirëpo premtohet që numri do të rritët.
Mirëpo për ekspertin e komunikacionit, Nol Dedaj nuk mjafton rritja e numrit të autobusëve nëse të njëjtëve nuk iu ofrohet infrastrukturë rrugore.
“Prishtina nuk e ka infrastrukturën për transport. Ajo është pika e parë qe u kanë dashtë me u bo infrastruktura. Unë shpesh ju thom qysh don me ble ti një kerr 200 mijë euro ose 300-400 mijë euro. Kur e ki rrugën me lloç, qysh don mi ble ku don mi çu ato mi lan qaty n ‘garazh a?”, ka thënë Dedaj.
Ai vlerëson se është e kotë blerja e autobusëve përderisa nuk rregullohen korsi vetëm për transport publik.
Sa i përket infrastrukturës, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se kanë përshpejtuar procedurat për ndërtimin e rrugës “A” e cila lidhet më rrugën “B”, e që do ta lirojë trafikun.
Gjithashtu, sipas tij, janë duke punuar tek rruga paralele me rrugën e “Tiranës”, rrugë kjo që e lidhë rrethin e madh të Fushë Kosovës me “Arbërinë”.
Zogaj thotë se kanë menduar edhe për nënkalime, ku një i tillë është planifikuar edhe tek rruga “Agim Ramadani”.
“Nënkalimi është i menduar tek rruga “Agim Ramadani” pas teatrit e që pastaj veturat futen nën tokë dhe dalin në dy dalje, sepse është një tunel në formë të “Y-së”, të shkronjës “Y”. Ku një pjesë e veturave dalin tek gjimnazi “Sami Frashëri”, kurse një pjesë tjetër tek rrethi i Komunës”, ka thënë ai.