Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore pavarësinë, tërësinë territoriale dhe vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i zhvilloi punimet më 25-27 dhjetor 1918.
Morën pjesë mbi 50 delegatë. U zgjodh një qeveri e përkohshme me 14 anëtarë. Kongresi vendosi të formohej edhe një Pleqësi (senat), si organ këshillues i qeverisë. Delegatët e mbledhur në Kongresin e Durrësit u shprehën për ruajtjen e pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, për rishikimin e kufijve të 1913-ës në favor të tij dhe për t’ia paraqitur këto kërkesa Konferencës së Paqes.
Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm. Aty shprehej ruajtja e pavarësisë, tërësia tokësore e shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Për çështjen që lidhej me statusin juridik të këtij shteti dhe animi politik ndaj njërës apo tjetrës fuqi fituese, për të cilin kishte mosmarrëveshje, ata vepruan në mënyrë të heshtur dhe në kompromis me njëri-tjetrin. Ky program kishte në themel mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë, mbajtja e qetësisë brenda vendit. Programi përbënte një hap përpara në lëvizjen kombëtare shqiptare, por duhet vlerësuar në kushtet kur Shqipëria gjendej e pushtuar nga ushtritë e huaja dhe nën trysninë e copëtimit nga fqinjët e saj. Në këtë pikëpamje, studiuesit e kësaj periudhe, ndonëse e vlerësojnë pozitivisht Kongresin e Durrësit, nuk kishin bërë ndonjë koment ose vlerësim lidhur me programin e qeverisë. Mendimi i historisë shqiptare pas luftës ka mbajtur një qëndrim kritik kundër mbështetjes që i dha “Vatra” kompromisit me Italinë lidhur me formimin e qeverisë së Durrësit./kp/