Pas dy javësh të bllokuar në Leposaviq, sot janë ndërruar policët e Kosovës dhe janë kthyer në bazën policore në jug.
Media serbe “Kossev” ka raportuar se në rrugët malore Kamenicë-Vuçë-Soçanicë është parë një kolonë e xhipave policorë dhe veturave të EULEX-it, ku dyshohet se në këtë mënyrë janë larguar policët që kanë qenë të bllokuar në veri.
Kolona është parë pasditen e së shtunës.
“Kossev” duke iu referuar fotografive të lexuesve nga zona Kamenicë – Vuçë – Soçanicë, shkruan se kolonës së Policisë së Kosovës në të dy drejtimet iu printe një veturë e EULEX-it.
“Është rrugë rurale e cilësisë së dobët, edhe pse është duke u riparuar, e cila tani është e vetmja lidhje ndërmjet Leposaviqit dhe Mitrovicës, për shkak të barrikadave në rrugën kryesore dhe deri më tani në të nuk janë parë vetura të policisë”, thuhet në shkrimin e mediumit serb.
Më pas, EULEX-i ka njoftuar se ka përcjell një kolonë të Policisë së Kosovës me policë të rregullt, të cilët kanë bërë rotacion dhe kanë zëvendësuar policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq.
EULEX ka thënë se përcjellja është bërë pasi ka marrë një kërkesë zyrtare nga Policia e Kosovës.
“Pas kërkesës zyrtare të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i ka përcjellë një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë rotacion dhe kanë zëvendësuar policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX.
Ndryshe, për dy javë, disa policë të Kosovës kishin mbetur të bllokuar në Leposaviq, prej ku më 10 dhjetor janë vendosur barrikadat nga serbët lokalë në rrugët që dërgojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Demokracia.com së shpejti e sjell një skandal të Qeverisë Kurti për një pikë tjetër kufitare, nga e cila me urdhër të ministrit Xhelal Sveçla janë tërhequr policët e Kosovës dhe tani po hyjnë lirshëm mallra e armatim në katër komunat veriore, pa kurrfarë kontrolli nga institucionet e Kosovës.