Live

Berisha: Shqetësuese që ministri Peci ka mohuar rastin e vajzës që kërkonte lëmoshë

20:13 / 26 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Një vajzë e komunitetit jo-shumicë është larguar me forcë nga një lokal, në prani të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. E për këtë çështje, Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se më shqetësuese është fakti që Peci e ka mohuar një rast të tillë.

“I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkëbiseduesi e jo tek i gjithë lokali. Këtë pamje për herë të parë e pashë në rrjete sociale e në media”, ka reaguar Peci në Facebook.

Mirëpo, Berisha konsideroi se ministri Peci duhej të mbante përgjegjësi në momentin kur vajza largohet në mënyrë abuzive nga lokali.

“Deri në momentin kur kamerieri e kapi vajzën, ministri nuk ka përgjegjësi, mirëpo në momentin kur ai e kapi vajzën në atë formë, ministri ka përgjegjësi. Mënyra e largimit nga lokali, ishte abuzive për fëmijën. Ministri ka thënë që nuk e ka parë rastin. Për ne është shqetësim i dytë, pasi ministri e ka mohuar rastin. Nuk duhet ta mohojë, thjeshtë është njerëzore të gabosh, por veprimi i tij ka qenë i padrejtë”, tha Berisha në Tëvë1.

Tutje, Berisha u shpreh se kamerieri nuk do reagonte në atë mënyrë, në qoftë se në tavolinë nuk ishte i ulur ndonjë ministër.

“Unë e vlerësoj nëse ministri nuk i ka dhënë lëmoshë, sepse në atë mënyrë do të joshen ende më shumë. Mirëpo, në atë prezencë më 20 cm largësi, kamerieri ndihej keq pse vajza po e shqetësonte ministrin, sepse sipas tij ministri është autoritet i paprekshëm. Kamerieri reagoi sigurisht që pavetëdijshëm, vetëm për ta mbrojtur ministrin. Por, në fakt kamerieri duhej ta kuptonte që ministri është shërbëtor i popullit. Kamerieri nuk do reagonte në atë mënyrë në qoftë se në atë tavolinë nuk do të ishte një ministër”, theksoi më tej ai.

Megjithatë, Berisha vlerësoi se gjendja e rëndë ekonomike i detyron qytetarët të kërkojnë lëmoshë.

“Fillimisht institucionet mbajnë përgjegjësi, sepse ka ligj i cili i sanksionon daljet e fëmijëve në rrugë. Megjithatë, gjendja ekonomike e tyre e detyron që në një farë forme të ndërmarrin edhe kësi lloj veprimesh. Por, në fakt lypësia është më e mirë se vjedhja”, tha Berisha në Tëvë1.

Njëherit, ka bërë të ditur se në këto 10 ditët e fundit, veçse janë marrë me disa raste të fyerjeve me bazë etnike e raciste.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...