Gjykata e Apelit ka lënë në burg, 31-vjeçarin Gert Shehu, i cili goditi me grusht kryedemokratin, Sali Berisha, më 6 dhjetor gjatë protestës së opozitës.
Shehu në seancë ka thënë se kërkon të shkojë në shtëpi, pasi është djalë i vetëm dhe e ka të nevojshme që të marrë medikamentet.
Gjykata ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Shehut, të cilët kërkonin një masë më të butë sigurie, ajo e arrestit shtëpiak, apo e shtrimit të detyruar në spital.
Më 6 dhjetor, 31-vjeçari goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha teksa ky i fundit doli nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shkruan Euronews.al.
Në momentet që ai goditi me grusht Berishën, truprojat dhe simpatizantë të PD-së nuk kursyen dhunën ndaj të riut.
Ky i fundit përfundoi në Spitalin e Traumës.
Nga demokratët erdhën akuza se gjithë ngjarja është e inskenuar nga kryeministri Edi Rama. Madje Berisha kërkoi edhe lirimin e Shehut nga burgu, duke e quajtur atë një viktimë.