Live

Von Cramon: Heqjes së barrikadave nuk i gëzohet vetëm Putini

09:15 / 30 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka mirëpritur heqjen e barrikadave nga rrugët në veri të vendit, derisa ka kërkuar që tani të gjithë të punojnë për një të ardhme evropiane.

Ajo i ka vlerësuar të panevojshme dhe të turpshme veprimet e serbëve me barrikadimin e lëvizjes së lirë, por ka thënë se edhe pse e vonuar ‘zgjidhja diplomatike apo civile’ është më e mirë se sa ajo ushtarake.

“Besoj se të gjithë ne ndjehemi të çliruar. Kemi shpresuar për një kohë të gjatë që këto barrikada të hiqeshin nga ata njerëz që i kishin vendosur dhe që po i shtonin barrikadat në ditët e fundit. Po prisnim në prapavijë një marrëveshje. Barrikadat ishin provokim dhe gjë e panevojshme. Shpresoj që kjo të jetë hera e fundit që qytetarët e Kosovës janë provokuar nga këto veprime”, ka theksuar Von Cramon.

Ajo ka thënë se Evropës dhe rajonit nuk i duhet edhe një front dhe një agresion ushtarak. Vendimin e gjykatës për ndryshimin e masës ndaj Dejan Pantiqit nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ajo e ka vlerësuar ‘të arsyeshëm’. “Ishte vendim nga gjykata. Një gjyqtar ka vendosur në bazë të një vlerësimi mbi gjendjen shëndetësore të akuzuarit dhe mbi raportin mjekësor të EULEX-it. Pra i besoj këtij vendimi dhe besoj se ishte vendim i arsyeshëm që të vendoset arresti shtëpiak në vend të paraburgimit. Procedura vazhdon tutje dhe Pantiq do të trajtohet si çdo person tjetër i akuzuar”, ka shtuar ajo.

Sa i përket vendosjes së barrikadave dhe gjendjes së tensionuar në terren ajo nuk ka dashur të flasë se kush ishte fajtor, Kosova apo Serbia. Ka kërkuar që fokusi të jetë në të ardhmen dhe jo në të kaluarën.
“Unë do të rekomandoja që mos t’i kthehemi të kaluarës sërish. Kemi një interes përpara që të dyja vendet të kenë mundësinë që të hyjnë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur. Është një propozim në tryezë që do ta përshpejtonte në një mënyrë këtë lloj procesi. Le të merremi me çështje tjera e jo më të kaluarën. Ajo që na duhet është të kemi një lloj përkushtimi për të parë që njerëzit janë të gatshëm të pajtohen dhe të arrijnë kompromisin”, ka nënvizuar Von Cramon.

Ajo tutje ka theksuar se çdokush e ka mirëpritur këtë zhbllokim përveç ‘Putinit apo Rusisë që gjithmonë kanë interes që të pengojë integrimin evropian’.

“Kushdo që ka interesim që të shoh që qytetarët e Kosovës dhe fqinjët tuaj të jenë të integruar dhe të kryejnë të gjitha reformat e kanë mirëpritur këtë”, ka thënë ajo.

Sa i përket mosndërhyrjes së KFOR-it për të hequr barrikadat përgjatë 20 ditëve, ajo ka thënë se “ndoshta ka pasur arsye që KFOR-i nuk ka ndërhyrë. “Ndoshta ka pritur një zgjidhje diplomatike/civile e jo ushtarake, sepse çdo gjë e cila do të përshkallëzonte më shumë situatën do të ishte më e keqe.
E di që ka qenë shumë kohë e gjatë, tepër e panevojshme dhe e turpshme që ka ndodhur barrikadimi i rrugëve, por le të shohim të ardhmen dhe të punojmë bashkë të mos ballafaqohemi me gjëra të tilla në të ardhmen”, është shprehur Von Cramon.

Sa i përket deklaratës së Lajçakut për “Politico.eu” për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në mars të vitit të ardhshëm, ajo ka thënë se kjo është “një pritje ambicioze”.

“Nuk e kam lexuar deklaratën e Lajçakut. Marsi më duket tejet ambicioz. Nëse është e mundur, do të ishte gjë e mrekullueshme. Nuk e kundërshtoj në asnjë mënyrë dhe do ta mbështesja me gjithë fuqinë. Nëse është e arritshme do të ishte fantastike. Do të na duhet vullnet politik, por unë shoh një periudhë të mirë drejt verës”, ka theksuar ajo./rtk

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...