Qeveria e Kosovës një javë më parë ka ndarë 1.2 milionë euro për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Në lidhje me këtë ka reaguar kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili thotë se se një pjesë e parave kanë shkuar te Partia për Veprim Demokratik.
Arifi theksoi se i vjen keq për taksapaguesit e Kosovës, sipas tij, për vjedhjen që po u bëhet.
“Meqë kam thënë e përsëritur disa herë se PVD është sinonim i korrupsionit në Luginën e Preshevës, tani kjo faktizohet edhe njëherë pasi kanë zhvatur buxhetin e Republikës së Kosovës duke ndarë plaçkat me lajkatarët dhe servilët e tyre”, ka shkruar Arifi në rrjetin social Facebook.
“Sinqerisht, më vjen keq për taksapaguesit e Kosovës, që në këto ditë të vështira u vodhën brutalisht nga një subjekt keqbërës dekador në Luginën e Preshevës”.
Për këtë kanë reaguar edhe kryetarët e partive shqiptare në Luginë të Preshevës, të cilët i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës me një reagim.