Live

Në Ortopedi kryhen rreth 2 mijë operacione, drejtori ankohet për mungesë të sallave e anestezistëve

10:16 / 31 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Afër 30 mijë qytetarë kanë marrë shërbime në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore gjatë vitit 2022. Krahas këtij shërbimeve ambulatore, këtë vit janë kryer rreth 2 mijë operacione.

Sfidë për këtë klinikë është mungesa e anestezist dhe lista e gjatë të pritjes. Për këtë të fundit, fajin kryesor e ka mungesa e sallave operative.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, ka thënë se me kushtet që i kanë aktualisht, synojnë që t’i zgjerojnë kapacitetet e tyre dhe funksionalizimin e sallave të reja për operacione.

“Klinika e Ortopedisë në vitin 2022 ka pas shumë peripeci, mirëpo mesatarisht kemi arritur t’i realizojmë qëllimet tona që i kemi pas. Zakonisht kemi pas të pranuar 2272 pacientë, të operuar kemi 1985 e që deri në fund të vitit do t’i kryejmë 2 000 operacione, çka do të thotë se kemi rritje të numrit nga viti paraprak, ku kemi pasur ngecje shkaku i pandemisë, tani kemi përmirësime. Vizita ambulatore janë kryer afër 30 mijë, janë 2054 ultrazëra e janë bërë afër 5 mijë imobilizime me gips dhe lidhtore të plagëve janë bërë rreth katër mijë”, ka thënë Jashanica për EO.

Lista e pritjes në këtë klinikë është nga viti 2018, për çka thotë se e ka ndihmuar edhe situata me pandeminë. Thotë se për dy vite, nuk kanë kryer asnjë operacion.

“Më brengos fakti se kemi mungesë të anestezistëve dhe listën e pritjes e kemi ende të madhe. Lista e pritjes sa i përket protezave jemi në fund të vitit 2018, kemi menduar se do të jetë një shkarkim i listës me hapjen e sallave të reja operative, mirëpo ka ndikuar mungesa e anestezistëve, ku dy prej tyre gjatë këtij viti e kanë lëshuar punën dhe një ortoped. Këtu kemi edhe një revoltë të qytetarëve sepse lista vetëm sa po shkon duke u shtuar”, tha ai, teksa shpreson që të bëhet zgjidhje sa i përket mungesës së anestezistëve.

“Tani për tani jemi duke punuar me kapacitete mesatare, jemi duke e kryer traumën në tërësi. Nga viti i ardhshëm presim shumë, pasi që i kemi katër salla të reja për operacione, presim që të funksionalizohet pikë së pari me faktorin njëri që besoj se është problem madhor që kërkon të merren institucionet, dhe të kemi anestezion mjaftueshëm, kurse ortoped kemi mjaftueshëm dhe funksionalizimi i plotë i katër sallave, besoj se do të mjaftojë për realizimin e plotë të planit tonë”, u shpreh ai.

Teksa ka folur për fondin për trajtim jashtë shtetit, Jashanica thotë se i njëjti nuk duhet të ekzistojë fare, pasi thotë se të njëjta me pak investime në aparatura dhe trajnime, kryhen edhe në këtë klinikë.

“Si menaxher i ri që jam, unë mendoj që ky fond nuk do duhej të ekzistonte fare, dhe vetëm rastet ekstreme të largohen. Për ortopedi do të ishte mirë të largohej ky fond, pra çdo operacion do të mund të kryhej këtu, po me plotësimin e disa kërkesave, mirëpo vetë fondi i krijuar i jep mundësi për me dështu shërbimi publik i shëndetësisë. Ne mundemi me i kry të gjitha operacionet, mirëpo nga ai fond një sasi e mjeteve e vogël na duhet që t’i plotësojmë disa kushte që na nevojiten…, nevojitet një trajnim i ortopedëve dhe blerjen e disa pajisjeve”, thotë ai.

Fjalë të mëdha për stafin e kësaj Klinike, pati Nazmi Ratkoceri, i cili ishte operuar nga spinalja. Ndonëse kishte pasur një operacion goxha të vështirë, tha se me ndihmën e mjekëve, po e tejkalon shumë mirë “Jam operuar prej spinale (shpinës) i përshëndes doktorët e drejtorin që janë në Klinikën e Ortopedisë, më kanë trajtuar siç është më së miri. Kurrë më mirë s’ka qenë, më kanë trajtuar shumë mirë, çdo 15 minuta kanë ardhë doktorët. Po ndihem shumë mirë, e kam pas operacionin pesë orë, ka kaluar shumë mirë”, tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...