Irani vazhdon të jetë një qëndër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të dhunës që po ushtron pushteti ndaj njerëzve që kërkojnë më shumë liri dhe të drejta. Lajmet e fundit që vijnë nga vendi islamik ku deri tani kanë humbur jetën qindra protestues, lidhen me futbollin.
Disa lojtarë profesionistë janë arrestuar nga policia pasi kanë festuar natën e ndërrimit të viteve me alkool. Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Tasmin që thekson se festa u zhvillua në një lokal në pjesën lindore të qytetit të Teheranit.
Nuk bëhet i ditur identiteti i lojtarëve të ndaluar por sipas agjencisë, ata nuk ishin në gjendje as të reagonin ndaj kërkesës së policisë për dokumentacion. Ligji islamik në Iran nuk e lejon konsumin e alkoolit dhe sipas të gjitha gjasave, futbollistët do të dënohen në bazë të nenit që i cilëson këto sjellje si “korrupsion dhe anormalitet social”.