Vendi është tronditur sot pas një vrasje që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit ku 31 vjeçari Visart Cengu nga Shqipëria mbeti i vrarë dhe u palgos edhe një 27 vjeçar.
I dyshuar për këtë është Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën Kobra. Krimi ndodhi në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka konfirmuar se rasti ka nisur në lokalin “Kobra City” lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve, teksa ka shtuar se janë ndaluar 6 persona nga policia.
Ndër të arrestuarit është Dibran Hoxhaj i cili sipas Shalës është i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa të ndaluarit e tjerë për “pjesëmarrje në rrahje”.
“Sot në orën 04:10, policia ka marrë informatë se ka pasur të shtëna në afersi të lokalit “Kobra City”, në dalje të Prizrenit rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, tha ai për Express.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre te markes Audi, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, shtoi ai.
Shala thekson se 27-vjeçari i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.
“Si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C. ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë”.
Tutje, kryeprokurori Shala theksoi se organet e rendit të Kosovës dhe Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e rastit.
“Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të sigurimit te provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes. Organet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe ato të Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë”, tha Shala.