Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar bisedime të rëndësishme me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili javën e ardhshme do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.
Ndërkombëtarët e dënuan aktin e plagosjes së dy të rinjve serbë dhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dje në një deklaratë falënderoi autoritetet e Kosovës që e kapën shpejt të dyshuarin. Por kjo e ka indinjuar Vuçiqin i cili dëshiron t’i portretizojë ndërkombëtarët si kundër serbëve, duke e lidhur këtë edhe me përgjigjen negative që e mori nga KFOR-i lidhur me kërkesën për dërgimin e trupave policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.
“Kjo flet për të gjithë ata dhe për qëndrimin e tyre ndaj popullit serb. Nuk prisja përgjigje ndryshe nga KFOR-i. Dhe pyetja është nëse do të shkohet në seancën e Këshillit të Sigurimit. Në vendin tonë janë dy grupe që ushtrojnë presion për shkak të Kosovës. Disa janë të ashtuquajtur patriotë që vetëm i bëjnë probleme vendit të tyre. Ata do të kërkojnë një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nesër shkojmë, në rregull, rusët do të na mbështesin. Dhe çfarë do të bëjmë atëherë? Ata do të votojnë që të mos kthehet ushtria dhe policia serbe. Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, le ta lëmë Kurtin të komentojë se si këtë e ka refuzuar edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, ka thënë Vuçiq, përcjell Express.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet javën e ardhshme do ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën. Vuçiq njoftoi për këtë duke thënë se ai është një njeri shumë i rëndësishëm dhe se do të zhvillojë bisedime të rëndësishme me të.
“Ai nuk ka njeri që e urdhëron në Departamentin e Shtetit, ndoshta vetëm Jake Sullivan. Ai është një njeri shumë i rëndësishëm”, tha Vuçiq.