Live

Latifi thotë se Qeveria i ka diskriminuar qytetarët e Rahovecit

12:08 / 09 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi shprehet i pakënaqur me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për komunën që drejton ai. Sipas tij, ekzekutivi i ka diskriminuar qytetarët rahovecianë duke i larguar nga buxheti i vitit 2023 projektet e reja që janë jetike për këtë komunë.

Ai për këtë vit premton një program të pasur me projekte të rëndësishme për qytetarët e kësaj komune.

Latifi shprehet se edhe përkundër mungesës së mbështetjes nga Qeveria Kurti dhe krizës globale kanë arritur të shpenzojnë 90% të buxhetit të tyre që e kishin në dispozicion për vitin 2022.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar se për vitin 2023 kanë një program të begatshëm, ku shtylla kryesore është mbështetja për sektorin e bujqësisë.

Latifi i ka përmendur edhe disa nga projektet kryesore që i synon t’i jetësojë gjatë këtij viti.

“Ne do të kemi aktivitet intensiv në zbatimin e projektit të sheshit qendror që është projekti më i madh, do të angazhohemi që të kemi situatë gjithnjë e më pozitive në trajtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve fushore për bujqësi, do të kemi rezultate të dukshme në vazhdimin ose në zbatimit e projektit të depos bujqësore, do ta kemi të gatshëm tregun e madh të rrushit, aty ku mbahet festivali i rrushit ‘HardhFest’… Do të kemi, po ashtu, edhe investime në trajtimin e ujërave të zeza dhe ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza në pikat e ulëta, bie fjala në Krushë të Madhe, Xërxë, Malësisë të madhe, Gexhës, Dejnit, Çifllakut, sepse janë zona ku janë pika të ulëta… Kemi planifikuar edhe ndërtimin e gropave septike, të cilat janë të standardeve të larta e që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza”… Do të kemi mbështetje për fermerët tanë me serra, madje do të hymë në vitin 2023 edhe me impute bujqësore me fara, me plehra kimik dhe pesticide. Ne kemi një program të begatshëm edhe për vitin 2023. Ajo që ka ndodhur këtë vit do të rritet do të kemi edhe mbështetje në produkte të reja”, theksoi Latifi.

Kreu i Rahovecit premton se edhe në vitin që vjen me punën e tij do të vazhdojnë të jenë komunë model për transparencë, performancë dhe pa skandale.

“Në vitin 2023, ashtu siç kemi pas rezultate të prekshme, këtë vit do të vazhdojmë të jemi komunë e para për transparencë në Kosovë, do të vazhdojmë të jemi komunë model për performancë, do të vazhdojmë të jemi komunë model pa skandale”, u shpreh Latifi.

Latifi thotë se Qeveria e Kosovës në buxhetin për këtë vit larguar projekte të rëndësishme për komunën që udhëheq ai, sidomos atë për trajtimin e ujërave të zeza. Derisa kërkoi mbështetje nga qeveria dhe ministritë përkatëse për ndërtimin e sheshit qendror të qytetit.

“Projekte të reja kemi zero nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq edhe në projektet që ishin në vazhdimësi kemi largim të kodeve ose heqjeve të projekteve. Besoj se nuk e nderon askënd largimi i kodeve edhe i atyre kodeve dhe projekteve që i ke financuar vetë. Le të shpresojmë që janë gabime teknike… Kërkojmë projekte të reja. Unë kërkoj direkt përkrahje për sheshin qendror të qytetit, direkt kërkoj përkrahje për Qendrën Multifunksionale për Kulturë, Art dhe Inovacion, e cila tash është në fazën e hartimit të planit… Ne jemi të pakënaqur në qasjen që ka e qeveria në raport me komunën e Rahovecit nga pikëpamja e përkrahjes, pra nuk kemi përkrahje me projekte të reja absolutisht dhe madje kemi vërejtje serioze edhe projekte që financohen nga ministritë e linjës dhe Qeveria e Kosovës janë larguar”, deklaroi kryetari Latifi.

Si projekt të rëndësishëm që do t’i sillte përfitime ekonomike komunës që ai drejton, Latifi radhiti zonën ekonomike në Opterushë.

“Zona ekonomike në Opterushë për fat të mirë që ka filluar investimi është nënshkruar memorandumi dhe ka filluar procedura e prokurimit nga ana e ministrisë, ku komuna e ka hisen e vet në pjesëmarrje financiare dhe MINT e ka pjesën e vet të financave dhe shpresojmë që të kemi sa më shpejt kontratë dhe të fillojë ndërtimi i zonës industriale ekonomike, parkut të bizneseve në Opterushë diku 35 hektarë dhe përgatitja e kësaj zone dhe aftësimi i kësaj zone për t’u vendosur subjektet ekonomike, biznese vendore dhe të huaja, në mënyrë që e gjithë kjo zonë të jetë një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e përparuar të ekonomisë së Rahovecit”, u shpreh i pari i Rahovecit.

Kreu i Rahovecit, Smajl Latifi thotë se në vitin 2022 kanë nisur ndërtimin e depos bujqësore që do të mundësojë ruajtjen e prodhimeve bujqësore në një afat deri në 5 muaj.

Latifi deklaroi se deri në mesin e muajit dhjetor kanë arritur që të shpenzojnë 90% të buxhetit komunal.

“Deri në momentin që po flasim, buxheti i përgjithshëm i komunës së Rahovecit në total është shpenzuar diku 90% dhe në këto ditë që i kemi shpresojmë që ne do të arrijmë të kalojë 97%, pra është një shpenzim i përgjegjshëm, i nevojshëm për shkak se qytetarët kanë nevojë dhe ndihemi mirë dhe me fat që po arrijmë të realizojmë buxhetin dhe të hyra, por edhe për të shpenzuar grantin nëpër projekte që kryesisht janë investime publike, mallra e shërbime, por ka edhe kategori të tjera. Në investime kapitale ne ka ditë që e kemi kaluar atë kriterin minimal 75% e buxhetit”, shprehet kryetari i Rahovecit.

Vitin që lamë pas edhe Rahoveci dhe sidomos sektori bujqësor ishin goditur nga vërshimet, ku në bazë të një vlerësimi janë mbi 1 milionë e 700 mijë euro dëme në bujqësi, ndërsa gjithsej dëme nga këto përmbysje kapin vlerën 3 milionë e 300 mijë euro.

Krahas investimeve në shëndetësi, Latifi tha se gjatë vitit 2022 kanë ngritur dhe kapacitetet infrastrukturore dhe efiçiente shkollore në komunën e Rahovecit.

I pari i Rahovecit u zotua se gjatë këtij viti do të rritet mbështetja për aktivitetet kulturore dhe sportive.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...