Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli po e quan jologjike dhe skandaloze kërkesën e ministrit Xhelal Sveçla ndaj Gjermanisë për lejimin e shtetasve kosovarë të hyjnë në këtë shtet me pasaportë të skaduar.
Ai i tha Ekonomia Online se mungesa e materialit për prodhimin e pasaportave tregon papërgjegjësi dhe indiferencë totale të Qeverisë ndaj nevojave dhe kërkesave bazike të qytetarëve të Kosovës.
Kasolli theksoi se për këtë rast Prokuroria do të duhej të fillonte hetimet, pasi sipas tij, me mungesën e materialeve për pasaporta, letërnjoftimet dhe patën shoferin, po shkelen të drejta bazike të qytetarëve.
“Është absolutisht jo logjike, është ndoshta njëri prej veprimeve publike më skandaloze të këtij pushteti dhe konkretisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar shtetit Gjerman dhe autoriteteve të tyre. Është absurde të thuhet që t’i lejoni qytetarët e Kosovës me pasaporta të skaduar të vijnë në shtetin tuaj në Gjermani”, tha ai.
“Në anën tjetër mungesa e materialeve shpreh një papërgjegjësi dhe një indiferencë totale të këtij pushteti ndaj nevojave dhe kërkesave bazike të qytetarëve të Kosovës. Si akt e dëmton tej mase edhe imazhin ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, sepse reflekton një pa përgjegjësi totale në raport me partneret tonë. Në rrethana normale do të duhej që Prokuroria me automatizëm ta fillonte një procedurë hetimore sepse po shkelin këto të drejta bazike të qytetarëve të Kosovës”.
“Mungesa e pasaportës i privon qytetarët nga lëvizja e tyre, nga e drejta për lëvizje dhe materialeve tjera, jo vetëm e pasaportës, edhe për letërnjoftime, për patente shofer, prandaj qytetarëve të Kosovës ju shkelen disa të drejta bazike më këto veprime të pa përgjegjshme të këtij pushtetit”, tha Kasolli.