Ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë, Anita Anand, tha se vendi i saj do të shpenzojë 14 miliardë dollarë për të blerë 88 avionë F-35.
Anand njoftoi gjithashtu se Kanadaja do të shpenzonte më shumë në NORAD, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, në të cilën Kanadaja është partnere me Amerikën.
“Së bashku, këta të dy gjëra, do të forcojnë avantazhin tonë ushtarak për t’i mbajtur kanadezët të sigurt”, tha Anand.
Avionët F-35 do të zëvendësojnë flotën e vjetëruar të avionëve kanadezë CF-18.
Gjithashtu, ky veprim i jep fund një polemike 12-vjeçare mbi avionët e rinj luftëtarak, pasi Kanadaja kishte njoftuar një plan për të blerë avionët F-35 në vitin 2010, por më pas u tërhoq.
Kostoja është rreth 85 milionë dollarë amerikanë për një aeroplan dhe blerja do të kryhet në faza, me 16 avionët e parë që do të dorëzohen në vitin 2026, ndërsa grupi i fundit i avionëve do të dorëzohet në fund të vitit 2031.
Bëhet fjalë për të njëjtin aeroplan F-35 për të cilin kryeministri Justin Trudeau gjatë zgjedhjeve federale të vitit 2015 tha se qeveria e tij nuk do ta blinte kurrë, sepse jo vetëm që nuk ishte i nevojshëm, por “nuk funksionon dhe është larg funksionimit”. Avioni ka pasur probleme teknike.
Ministrja Ananda tha në konferencën për media se kishte më shumë se 3.000 F-35 të prodhuara nga kompania amerikane Lockheed Martin të blera nga vende të ndryshme. Bashkë me to, Kanadaja mund të “mbrojë hapësirën e dytë më të madhe ajrore në botë”.