Live

Zgjatet afati për dorëzimin e njoftimeve për apel në rastin e Salih Mustafës

09:52 / 10 Janar 2023

Nga Kosova Live

Më 9 janar 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Salih Mustafës lidhur me zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimit të tyre për apel kundër aktgjykimit.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas njoftimit, paneli e autorizoi mbrojtjen dhe ZPS-në që në qoftë se kanë njoftime për apel, t’i dorëzojnë më së largu deri më 3 shkurt 2023.

Ndryshe, më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.

Faza paraprake ndaj Salih Mustafës zgjati mbi 11 muaj derisa gjykimi u zhvillua në 52 ditë. U dëgjuan 29 dëshmitarë, prej tyre14 të prokurorisë e 15 të mbrojtjes.

“Betimi për Drejtësi” ju sjellë një kronologji të rastit ndaj Salih Mustafës.

Në këtë rast, më 12 qershor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka konfirmuar aktakuzën ndaj Mustafës, ku edhe kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhrin për transferim në objektin e paraburgimit.

Më 19 qershor 2020, Prokurori i Specializuar kishte dorëzuar aktakuzën e konfirmuar me redaktime, sikurse u autorizua nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Ai është arrestuar më 24 shtator 2020 në Prishtinë dhe po të njëjtën ditë është transferuar në Hagë dhe që atëherë gjendet në paraburgim.

Më 28 shtator 2020, Mustafa pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake, ku nuk u deklarua rreth fajësisë së tij. Më 28 tetor, në paraqitjen e tij të mëtejshme, ai ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 22 shkurt 2021, ZPS kishte dorëzuar versionin e fundit të dosjes paraprake, kurse mbrojtja më 6 maj të vitit 2021. Kurse, më 7 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kishte kaluar dosjen e çështjes trupit gjykues.

Në rastin e Salih Mustafës, kohëzgjatja e procedurës paraprake ka qenë 11 muaj e 22 ditë.

Ndërkaq, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova, caktoi trupin gjykues, të përbërë nga Roland Dekers, Mapi Feld-Folia ( kryetare e trupit gjykues), Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (rezervë).

Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar me 15 shtator 2021, ku ZPS dhe mbrojtësja e viktimave kanë dhënë deklaratën hyrëse.

Gjatë paraqitjes së çështjes së prokurorisë janë dëgjuar 14 dëshmitarë, një pjesë e madhe e tyre nën masa mbrojtëse, si shtrembërimi i zërit dhe fytyrës, identiteti i tyre nuk është bërë i ditur për publikun dhe të njëjtët kanë pasur kode të caktuara.

Më 4 shkurt 2022, prokuroria ka mbyllur çështjen e saj dhe më pas mbrojtja e Salih Mustafës kishte paraqitur mocion për rrëzimin e akuzave, mirëpo një mocion i tillë ishte refuzuar nga trupi gjykues.

Në këtë rast, më pas është proceduar me paraqitjen e provave të mbrojtjes, ku më 22 mars u dha fjala hyrëse e tyre dhe është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes, ku gjatë gjithë gjykimit janë dëgjuar 15 dëshmitarë.

Dëshmitarët që kanë dëshmuar për mbrojtjen e Salih Mustafës ishin Nuredin Ibishi, Kapllan Parduzi, Teuta Hadri, Hazir Borovci, Bislim Ndreci, Fatmir Humolli, Fatmir Sopi, Shaqir Rrahimi, Selatin Krasniqi, Muhamet Ajeti, Nazmi Verbovci, Ahmet Ademi, Brahim Mehmetaj, Ibadete Canolli- Kaçiu dhe Musli Halimi.

Në këtë rast, ishte paraparë që Salih Mustafa të paraqes deklaratë pa betim, mirëpo i njëjti kishte ndërruar mendje dhe nuk është deklaruar fare në gjykatore.

Ndërsa, më 26 maj 2022, mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave. Pas paraqitjes së fjalëve përfundimtare në shtator 2022, ku prokuroria kërkoi dënimin unik prej 35 vitesh, e mbrojtja lirimin e tij nga akuzat, trupi gjykues ishte tërhequr për këshillim dhe votim.

Gjykimi në këtë rast ka zgjatur 52 ditë, pra, në 52 ditë u mbajtën seanca. Kurse, gjykimi përfundoi 1 vit pas fillimit të tij, konkretisht më 15 shtator 2022.

Ndryshe, në këtë rast, numri i viktimave pjesëmarrëse ka qenë 8, derisa trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia, më 4 shkurt 2022, ka marrë vendim në të cilin thuhet se nëse Salih Mustafa shpallet fajtor, viktimat nuk do të referohen në gjykatat e Kosovës për zhdëmtim, por do të lëshohet urdhër për zhdëmtim.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...