Live

Gjykata refuzon kërkesën e ZPS-së për kufizimet dhe monitorimet e komunikimeve të Pjetër Shalës

12:30 / 12 Janar 2023

Nga Kosova Live

Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), që kërkonte kufizime dhe monitorim të komunikimeve të Pjetër Shalës.

Sipas vendimit të gjykatës, më 4 nëntor 2022, ZPS i kërkoi Panelit të urdhërojë kufizime në komunikimet jo të privilegjuara të Pjetër Shalës përpara fillimit të gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“ZPS-ja kërkoi në veçanti që: (i ) komunikimet e të Akuzuarit – me telefon, mjete të tjera elektronike, korrespondencë ose personalisht – me persona jashtë ambienteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara, të monitorohen në mënyrë aktive; (ii) komunikime të tilla kufizohen tek individët e miratuar paraprakisht nga Paneli; dhe (iii) i Akuzuari të urdhërohet që të mos ndajë asnjë material konfidencial ose ndonjë informacion tjetër identifikues me askënd jashtë ekipit të tij të mbrojtjes”, thuhet në këtë vendim.

Sipas vendimit, mbrojtja e ka kundërshtuar kërkesën e ZPS-së dhe ka thënë se është e pabazuar, e pajustifikuar dhe disproporcionale, andaj ka kërkuar nga trupi gjykues ta refuzojë atë.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...