Sipas mediumit serb nga Kosova, Kosovo-Online, disa serbë nga komunat veriore të vendit janë ankuar për probleme në ditët e fundit kur kanë kaluar pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak me veturat e tyre, për shkak se policia e Kosovës i ka ndaluar dhe paralajmëruar që nuk kishin të drejtë të përdornin veturat pasi kishin zgjatur afatin e regjistrimit pas 5 dhjetorit të vitit të kaluar.
Kjo gazetë pretendon që ka folur me serbë nga Zubin Potoku dhe Leposaviqi të cilët i kanë thënë që janë konfuzë në lidhje me sjelljen e Policisë së Kosovës pasi marrëveshja për targat ishte arritur në nëntor të vitit të kaluar.
Në atë marrëveshje – që kishte lënë pas shumë tensione – Prishtina dhe Beogradi ishin pajtuar që autoritetet e Kosovës do të pezullonin veprimet tjera sa i përket targave ilegale, ndërkohë që autoritetet e Serbisë nuk do të lëshonin targa të reja ilegale me emrat e qyteteve të Kosovës.
Sipas asaj marrëveshjeje, vazhdimi i validitetit për targat e vjetra ilegale nuk duhej kontestuar, por këto ditë siç thotë Kosovo-Online, pikërisht një gjë e tillë po ndodh në Bërnjak dhe Jarinje.
Sipas një qytetareje me inicialet A.S. një polic i kishte thënë që nuk mund ta ngaste veturën sepse targat KM nuk ishin më valide.
Kjo grua tha se e kishte përtërirë regjistrimin e Dacia Sanderos së saj më 12 dhjetor, dhe që nuk kishte pasur asnjë problem deri tash.
Siç citon Kosovo-Online, polici “ishte shumë i vrazhdë dhe me zemërim” i kishte thënë që targat nuk ishin valide më.
Policia e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga ky portal.
“Nëse këto kërcënime janë të vërteta, kjo do të përbënte shkelje flagrante të marrëveshjes së nënshkruar në muajin nëntor me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçakut dhe Josep Borrellit, dhe me siguri do të niste një krizë të re të rrezikshme në veri të Kosovës,” – shkruan KO.