Live

Partitë opozitare serbe kërkojnë që Serbia të përmbushë të gjitha kërkesat e dala nga rezoluta e Parlamentit Evropian

16:08 / 18 Janar 2023

Nga Kosova Live

Dragan Shormaz, zyrtar i Partisë Progresive Serbe (SNS), tha sot se në periudhën e ardhshme do të ketë presion më të fortë nga Bashkimi Evropian me qëllim që Serbia të harmonizojë politikën e saj të sigurisë dhe të jashtme me BE-në.

Shormaz tha për agjencinë Beta se Serbia do të duhet të përmbushë të gjitha kërkesat nga rezoluta e Parlamentit Evropian (PE), e cila u miratua sot, ku përveç harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë, një angazhim më i madh për reformat kërkohen në fushën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.


“Parlamentarët evropianë kanë këmbëngulur për sundimin e ligjit dhe lirinë e medias dhe demokracinë gjithëpërfshirëse në Serbi më parë, por ne arritëm ta kapërcejmë atë. Megjithatë, tani, edhe sikur ta rregullonin, asgjë nuk do të ndryshonte në marrëdhëniet e BE-së me Serbinë. Integrimi evropian në thelb u ndal. Tani gjëja më e rëndësishme është qëndrimi ynë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Shormaz.

Sipas tij, BE-ja deri më tani ka qenë shumë tolerante ndaj Serbisë kur është fjala për qëndrimin e qeverisë ndaj luftës në Ukrainë.

“Nuk jam i sigurt se pas rezolutës së dytë radhazi të Parlamentit Evropian, BE-ja do të jetë tolerante ndaj Serbisë, mendoj se do të fillojë presioni i vërtetë ndaj Serbisë, sepse deri më tani Serbia pothuajse nuk ka ndier asgjë për shkak të mosangazhimit të jashtëm dhe politikën e sigurisë me BE-në”, tha ai.

Shormaz tha se individë nga pushteti kërcënojnë sigurinë e vendit me deklaratat e tyre.

“Nuk mund të jetë në favor të sigurisë sonë kur përfaqësuesit e qeverisë shkojnë në Azerbajxhan dhe shpallin se ne tani do të blejmë armë prej tyre, edhe pse të gjithë e dinë që Azerbajxhani nuk ka armë për shitje. Është sikur BE-ja dhe SHBA-të nuk e dinë këtë. Ne kemi thënë se do të vazhdojmë të blejmë armë ruse, por përmes Azerbajxhanit”, shpjegoi zyrtari i SNS.

Shormaz thotë se prioritet në politikën e jashtme të Serbisë duhet të jetë vendosja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, “siç kemi vendosur tashmë ndaj Bjellorusisë”.

“Që në mars të vitit të kaluar, ne duhet të ishim rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së. Nuk do të kishim pësuar asnjë dëm ekonomik nga vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, sepse gazi natyror nuk është subjekt i sanksioneve të BE-së. Evropa e ka kuptuar se Rusia përdor gazin për shantazh dhe për këtë arsye kurrë më nuk do të lejojë që të shantazhohet”, tha Šormaz.

Ai shtoi se Serbia me BE-në insiston në respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa në të njëjtën kohë nuk e respekton Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

“Ne gjithashtu duhej të rreshtoheshim me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së në kuadër të MSA-së, por nuk e bëmë dhe duke vepruar kështu treguam se nuk jemi një partner i besueshëm që mund të besohet”, tha zyrtari i SNS.

I pyetur nga Beta nëse ka përkrahje për qëndrimet e tij në partinë së cilës i përket, Shormaz tha se Bordi Kryesor i SNS-së nuk e ka diskutuar asnjëherë këtë temë.

“Bordi kryesor u mblodh për herë të fundit kur ishte e nevojshme t’i jepet mbështetje Ana Brnabiq për një mandat tjetër kryeministre”, tha ai.

Shormaz thekson se Serbia do të vuajë pasoja ekonomike nëse nuk e harmonizon politikën e saj me BE-në.

“Rritja e PBB-së tonë në vitin 2022 ishte vetëm 2.7 për qind. Rritja ekonomike u zvogëlua për shkak se u zvogëluan investimet evropiane”, vlerësoi ai dhe theksoi se rruga e vetme korrekte për Serbinë është anëtarësimi në BE dhe NATO.

“Unë dalloj nga kolegët e mi nga SNS në atë që besoj se prioriteti i Serbisë është BE dhe NATO. Dhe paraardhësit tanë kanë luftuar për botën euroatlantike që nga Kryengritja e Parë Serbe dhe Luftërat Ballkanike. Serbët kurrë nuk aspiruan për ndonjë Lindje bota komuniste apo xhamahiria. Aleatët tanë kanë qenë gjithmonë nga perëndimi. Tani neutraliteti i shpallur po na kushton shumë”, përfundoi Dragan Shormaz.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe në pjesën e atij dokumenti që i referohet Serbisë, thuhet se Beogradi duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të Bashkimit.

Nga 641 deputetë, 407 votuan pro rezolutës, 92 ishin kundër dhe 142 abstenuan.

Në raport, PE kërkon zyrtarisht për herë të dytë BE-në të ndalojë progresin e negociatave me Serbinë derisa të përmbushë disa kërkesa kyçe, ndër të cilat më e rëndësishmja është harmonizimi i plotë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me atë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

PE thekson rëndësinë e harmonizimit të plotë veçanërisht me politikën e sanksioneve ndaj vendeve të treta. Ai shpreh keqardhje për nivelin vazhdimisht të ulët të përputhshmërisë së Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në lidhje me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. PE thekson se kapitujt e mëtejshëm të negociatave duhet të hapen vetëm kur Serbia të forcojë angazhimin e saj ndaj reformave në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe të tregojë se është plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Në raport, PE kujton se Serbia, si një vend që përpiqet për integrim evropian, duhet t’u përmbahet vlerave të përbashkëta dhe të respektojë të drejtat e Bashkimit Europian.

Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë ligjërisht apo politikisht detyruese për shtetet anëtare të BE-së dhe as për institucionet e tjera evropiane.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...