Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pasi deputetët e Vetëvendosjes votuan kundër që qytetarët të kenë mundësi të tërheqin një pjesë të mjeteve të tyre nga TRUST-i pensional.
Lideri i opozitës ka shkruar në faqen e tij në Facebook se është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po u bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, sikur kjo e tërheqjes së një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti.
“Në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre. Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”, tha Krsniqi.
Sipas kreut të PDK-së, sa t’i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, “është normale që këtij Kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët. Turp!”, ka shkruar ai.