Live

Pas vërshimeve, ​12 familje në fshatin Drejë të Istogut kanë mbetur të bllokuara

18:45 / 19 Janar 2023

Nga Kosova Live

Pas reshjeve të dendura te shiut, 12 familje në fshatin Drejë të Istogut po presin që të evakuohen meqë kanë mbetur të bllokuara.

Ekipet emergjente të komunës dhe zjarrfikësit nuk kanë arritur të depërtojnë në këto shtëpi derisa reshjet në këtë zonë po vazhdojnë.

Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut thotë për KP se janë në pritje që ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i evakuojnë këto familje derisa konfirmon se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Është i bllokuar prej orës 12:00, na kanë mbetur të bllokuara 12 familje brenda në katund, dy hyrje te katundit janë blloku, jemi mundur me zjarrfikës por nuk kemi pasur mundësi të depërtojmë. Tash FSK ka ardhur këtu dhe po mendojmë përmes FSK-së më i tërhek”, thotë ai.

Demaj ka treguar se ka kontaktuar me ta dhe i kanë thënë se janë mirë vetëm se presin të evakuohen.

“Kam biseduar me ta, mirë janë, çdo gjë në rregull vetëm që pritet me hy me i evakuu”, shton ai.

Ai thotë se familjet janë bërë bashkë dhe po presin për ndihmë.

Ndërsa një familje tjetër në pjesën e parë të fshatit tashmë është evakuuar vet.

“Po e shihni edhe vet çfarë situate jemi, vërshime ka të mëdha, më ka hy uji në shtëpi krejt, gjysmë metri, po e shihni edhe vet çfarë gjendje. Vetëm shoqen e kam brenda por tani del edhe ajo, asaj po i dhimbset çka ka ndodh brenda por po i them çka me bë kjo është prej Zotit”, thotë banori Sinan Jetishi.

Në komunën e Istogut janë tetë fshatra të prekura nga vërshimet derisa fshati Drejë mbetet në gjendje më të rëndë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...