Live

Fillon debati për furnizimin e Ukrainës me tanke Leopard 2 në Ramstein

11:43 / 20 Janar 2023

Nga Kosova Live

Debati për furnizimin e Ukrainës me tanke Leopard 2 mbizotëron në takimin e Grupit të Kontaktit në Ramstein. Zyrtarisht në rend dite ka dhe tema të tjera, por lufta në Ukrainë do të dominojë takimin në Ramstein.

Ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera mbështetëse kanë nisur këshillimet për ndihmën e mëtejshme ushtarake për forcat e armatosura ukrainase në bazën ajrore amerikane Ramstein në Rheinland-Pfalz. Tema që dominon këtë takim është dërgimi i mundshëm i tankeve Leopard 2 në vendin e sulmuar nga Rusia. Midis pjesëmarrësve nga rreth 50 vende janë edhe sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin, ministri i ri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Resnikov.

Në veçanti, pritet me padurim nëse Gjermania do të pranojë të dërgohen tanket Leopard 2 në Ukrainë. Polonia dhe Finlanda janë të gatshme ta bëjnë këtë. Qeveria federale – dhe veçanërisht kancelari Olaf Scholz – deri më tani ka qenë skeptik në lidhje me planet e aleatëve. Pozicioni gjerman luan një rol kyç në debat sepse tanket Leopard 2 janë zhvilluar në Gjermani dhe nuk mund të transferohen në Ukrainë nga shtetet e tjera pa miratimin e Berlinit. Britania e Madhe, nga ana tjetër, tashmë ka premtuar të furnizojë Ukrainën me tanket e saj kryesore për luftë Challenger 2.

“Presim vendime të fuqishme”

Pak para takimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski theksoi se qeveria e tij pret shumë: “Ne po përgatitemi për takimin në Ramstein. Ne presim vendime të forta,” tha ai në një video-mesazh të enjten në mbrëmje. Zelenski ka deklaruar vazhdimisht në ditët e fundit se vendi i tij ka nevojë kryesisht për tanke luftarake.

Zelenski falënderoi qeverinë amerikane për ndihmën ushtarake shtesë në shumën prej 2.5 miliardë dollarë (2.3 miliardë euro). Ai falënderoi presidentin Joe Biden “për një tjetër paketë të fuqishme të mbështetjes së mbrojtjes”. Në një intervistë të dhënë më parë për mediat gjermane ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë edhe Gjermaninë, por ka kërkuar edhe dërgimin e tankeve Leopard, me shpjegimin se Ukraina po bën dhe do të bëjë luftë mbrojtëse dhe nuk do të sulmojë Rusinë. Tanket Bradley, mjetet e blinduara të tipit Stryker dhe sistemi i mbrojtjes ajrore Avenger të shpallur nga Uashingtoni janë një “ndihmë e rëndësishme në luftën tonë kundër agresorit”.

SHBA ka njoftuar se do të dëgojë edhe armë të tjera. Paketa e fundit e ndihmës nuk përfshin tanket kryesore për luftë, por përfshin 59 tanke shtesë Bradley, 90 automjete të blinduara Stryker, sisteme të mbrojtjes ajrore Avenger dhe mijëra fishekë./DW/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...