Ndër të tjera, Qeveria thotë se Kurti me pesë top diplomatët që i shkuan në zyrë foli për “të drejtat e pakicave”.
Në Prishtinë paraditen e sotme qëndruan përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, i dërguari i Italisë, Francesco Maria Talò dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kurti i priti pesë diplomatët në zyrë, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.
Qeveria thotë se në këtë takim u diskutuar për propozimin evropian për normalizim të raporteve me Serbinë, që njihet edhe si plani franko-gjerman.
“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilën Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Pa përmendur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin diplomatët e shfaqin si prioritet, Qeveria thotë se në takimin e sotëm u fol për të drejtat e pakicave.
“U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gushtit 2022 në Bruksel”, thotë njoftimi.
Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, sipas zyrë së tij, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike.