Edhe militanti i Kurtit, Krenar Shala, i cili e mbron qeverisjen e tij në studio televizive, ka deklaruar se pranimi i Asociacionit pa njohje të Kosovës nga Serbia, do të ishte kapitullim.
Shala theksoi në Politiko të Kanal 10 se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ende është në fazën e diskutimeve dhe spekulimeve, por që ende nuk dihen detajet se si do të zbatohet kjo marrëveshje.
“Ende besoj që Asociacioni është në fazën e diskutimeve. Ne e kemi vetëm një kornizë të sanksionuar në Kushtetutë, por s’i dimë detajet si do të bëhet Asociacioni. Nuk përjashtohet mundësia që do të bëhet një Asociacion më i përkufizuar gjeografik. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Ende është në fazën e diskutimeve dhe spekulimeve. Megjithatë, çfarëdo Asociacioni që bëhet pa e arritur një kornizë të marrëveshjes finale pa njohje, do të ishte gati kapitullim për Kosovën. Ne nuk guxojmë ta ripërsërisim një marrëveshje që s’po arrin të zbatohet, por vetëm ka shërbyer më shumë si udhërrëfyes për ta tensionuar situatën sesa për ta normalizuar”, ka thënë Shala në Politiko.